Site icon Telegrafi

Belegu: Ministria e Drejtësisë t’i ndryshojë ligjet për ta ndalur huliganizmin

“Ministria e Drejtësisë duhet t’i ndryshojë urgjentisht ligjet. Kjo është e vetmja mënyrë për ta ndaluar huliganizmin. Edhe ne si Federatë do të jemi më strikt dhe do t’i dënojmë të gjitha ekceset që do të shkaktohen nga kushdo qoftë, aq sa mundemi”, deklaroi kreu i FBK-së, i cili e ka falënderuar Policinë e Kosovës për punën që e kreu dhe kontrollin që e mbajti mbrëmë.

Ndërkohë, Belegu tregoi për takimin që ka pasur me Shtriks, me të cilin ka biseduar për disa aspekte, në zhvillimin e segmenteve të caktuara. Ai tregoi se Shtriks është zotuar se do ta ndihmojë basketbollin kosovar, ku ndër të tjera do të avancohen edhe gjyqtarët.

Belegu tregoi se shumë shpejtë do të nënshkruhet marrëveshja trevjeçare me hotelin Swiss Diamond Hotel, i cili do të jetë njëri nga sponsorët zyrtarë të FBK-së, e ku pritet të vendosen vazhdimisht delegacionet që vijnë nga jashtë.

Në konferencë munguan zyrtarët e Sigal Prishtinës, por i pranishëm ishte kryetari i Pejës, Art Gashi. Ai ka kërkuar nga Qeveria dhe shteti i Kosovës që të ndërmarrë masa për ndalimin e huliganizmit, duke shtuar se klubi që ai e drejton nuk është institucion edukativ dhe se nuk mund të bëjë asgjë për ndalimin e kësaj dukurie.

Ai ka kërkuar falje në emër të klubit verdh e zi për eksceset e vogla që ndodhën mbrëmë. Sa i përket aspektit sportiv, Gashi u shpreh se Peja është e gatshme, me ndonjë ndryshim të vogël, që t’i presë sfidat e radhës në kampionatin vendor dhe në Ligën Ballkanike.

Me ftesë të FBK-së, drejtori sportiv i Ligës Ballkanike, Shay Shtriks dhe drejtoresha për marketing, Lubomira Genova e vizituan këto ditë Kosovën. Ata u ndanë të kënaqur me punën që kanë bërë në infrastrukturë dy pjesëmarrësit e rinj të kësaj lige, Sigal Prishtina dhe Peja, por kërkoi që të punohet më shumë rreth parandalimit të huliganizmit. /Express/Telegrafi/ 

Exit mobile version