“Është mirë që sporti do të futet në bisedimet në mes të të dyja palëve. Kërkesa e jonë duhet të jetë konkrete dhe mos të lëshojmë pe, sikur në sferat tjera. Karta olimpike është e qartë: sporti është për paqe, afrim të popujve dhe njerëzve dhe nuk shoh asnjë arsye që Serbia të qojë pluhur dhe zhurmë dhe të na pengojë”, deklaroi kryetari i ri i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu.
Për dallim prej disa Federatave ndërkombëtare, të cilat e kushtëzojnë pranimin e Federatave të reja me të qenit pjesë e atij shteti në OKB, e që Kosova në këtë rast nuk është, shtëpia e basketbollit kosovar do ta ketë më lehtë. Këtë e shpjegon më mirë kreu i ri i FBK-së.
“FIBA i ka rregullat më të lehta pasi thotë se një shtet duhet të jetë i pranuar ndërkombëtarisht, për t’u bërë pjesë e saj. Pastaj, ekziston edhe një mundësi, që ceket në nenin 7,3 të FIBA-s, që shteti i cili vjen nga regjioni e që është duke u pranuar, që është në proces (Kosova), mund të bëhet pjesë e FIBA-s nëse Federata amë (që e konsiderojnë Serbinë) jep leje. Ne po flasim për një fqinjësi të mirë, që të funksionojmë së bashku, prandaj Serbia duhet të lëshojë pe dhe ta lejojë anëtarësimin e FBK-së në FIBA”, deklaroi për Express, Belegu. /Telegrafi/