Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim mes Qeverisë së Maqedonisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe USAID-it, si dhe mes Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe USAID, në lidhje me “Projektin për mbështetje të reformave në sektorin e energjetikës në Maqedoni”.
Siç informojnë nga Ministria e Ekonomisë, Bekteshi theksoi se nënshkrimi i këtyre dy memorandumeve për bashkëpunimi me USAID-in, njërin për zhvillimin e tregjeve rajonale energjetike dhe tjetri për të mbështetur reformat në sektorin energjetik në Maqedoni, dëshmon qasjen serioze që ka kjo qeveri ndaj sektorit energjetik, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, energjetika është një nga fushat prioritare strategjike, prandaj i kemi kushtuar vëmendje të veçantë këtij sektori. Objektivi strategjik i saj është që të sigurojë zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori duke bërë të mundur që ajo të jetë konkurruese në tregun e energjisë me përkujdesje të vazhdueshme për ambientin, duke përfshirë edhe ndryshimet klimatik. Prandaj ne po punojmë në përfshirjen sa më të madhe të energjisë rinovuese dhe nxitjen e masave për efikasitet energjetik dhe kemi bashkëpunimin të vazhdueshëm me USAID-in për të siguruar një mjedis të favorshëm për investitorët dhe nga nënshkrimi i memorandumit presim që ky bashkëpunimi ynë të thellohet për të realizuar qëllimet e përcaktuara”,tha Bekteshi.
Miratimi i Ligjit për Energjetikë në qershor të 2018 ka hapur shumë mundësi të reja për zhvillime të mëtutjeshme si, bashkimin (i “një ditë e më parë”) i tregjeve energjetike me Republikën e Bullgarisë, zbatimin e procedurave për ndarjen e operatorëve transmetues për qasje jo diskriminuese në infrastrukturën e energjisë elektrike dhe të gazit, siguri në furnizim dhe diversifikimin e burimeve të energjisë, realizimin e masave për të mbështetur dhe nxitur prodhimin e energjisë elektrike nga burime të ripërtëritshme të energjisë, mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë dhe shumë përfitime të tjera, shtoi më tej Bekteshi.