“Maqedonia e Veriut është e imja po aq sa është dhe e tij”, kështu i përgjigjet ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi liderit të OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoskit.
Bekteshi ishte i ftuar në emisionin 10 minuta në TV21 ku i është përgjigjur liderit të OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski i cili dje e akuzoi Bekteshin për akt armiqësor, sepse i tha një gazetareje në Shqipëri se ai nuk ishte “ministër maqedonas”, por shqiptar dhe ministër i Maqedonisë së Veriut.
“Unë jam shqiptar me përkatësi etnike, ky është realiteti, sepse mbi 600 mijë shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Maqedoninë e Veriut, ata janë këtu. Aq sa Maqedonia e Veriut është e Mickoskit, aq është edhe vendi im. Njejtë siç unë kujdesem për vendin tim, ashtu duhet që edhe ai të kujdeset”, tha ministri Bekteshi.
Lidhur me deklaratën e cila bëri bujë të madhe dhe mori vëmendjen e mediave maqedonase, i tha se nacionalizmi nuk duhet të inkurajohet.