Site icon Telegrafi

Bekteshi-Nikollov: Do të lidhen tregu i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi njofton se sot ka realizuar takim pune të suksesshëm me ministrin e Energjetikës së Bullgarisë, Aleksandër Nikollov në grupin punues për energjetikë.

Sipas Bekteshit me menaxhmentin e kompanive energjetike nga të dyja vendet biseduam për shtrirjen e interkonektorit Petriç – Strumicë deri në TEC Negotinë duke rishikuar studimin ekzistues, duke siguruar sasi shtesë të gazit natyror, si dhe mundësinë e rezervimit të kapaciteteve për Maqedoninë e Veriut në depot në Bullgari.

“Prioriteti kryesor i të dy qeverive është përshpejtimi i projekteve në fushën e energjetikës, duke pasur parasysh krizën energjetike.

Kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer edhe më herët në sektorin e energjetikës, por nuk do të ndalemi këtu. Ne do të vazhdojmë me projekte shtesë që të dyja vendet të përfitojnë nga investimet.

Biseduam edhe për zbatimin e Memorandumit për lidhjen e tregjeve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Procedura për krijimin e një tregu të organizuar dhe një kompanie që do ta bëjë atë në vend është drejt përfundimit. Procedura duhet të përfundojë deri në fund të vitit dhe në fillim të vitit kur do të kemi një organizim në tregun e brendshëm, do të lidhemi me Bullgarinë dhe do ta zgjerojmë me investime të ndryshme, si për shembull interkonektori me Bullgarinë dhe fqinjët e tjerë”, njofton Bekteshi./Telegrafi/

Exit mobile version