Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, së bashku me Zëvendëskryeministrin për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiq, në kuadër të vizitës zyrtare në Uashington të SHBA-së, sot kanë marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët me ekspertë dhe bashkëpunëtorë të jashtëm të Këshillit Atlantik në Uashingtoni për temën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, situatën dhe projektet rajonale.
Ministri Bekteshi theksoi para ekspertëve të Këshillit Atlantik se nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës kontribuoi në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të vendit, i cili është i rëndësishëm jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por për të gjitha vendet e rajonit. Ai theksoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e fokusuar në masat për rimëkëmbjen ekonomike dhe përmirësimin afatgjatë të konkurrueshmërisë së vendit, me fokus kryesor rritjen e atraktivitetit të investitorëve të huaj.
“Po investojmë shumë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe energjetike në vend. Mbështetja e SHBA-së si partneri ynë strategjik është i një rëndësie të madhe për përshpejtimin e këtyre proceseve. Përmirësimi i lidhjes rajonale dhe rritja e pavarësisë energjetike duke diversifikuar burimet e furnizimit me energji është një impuls i fortë pozitiv për investitorët e huaj dhe sigurisht për të gjithë ekonominë”, tha Bekteshi.
Në tryezën e rrumbullakët, ministri Bekteshi foli edhe për projektet që janë duke u realizuar, si dhe për planet e ardhshme për lidhjet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe prezantoi kushtet dhe mundësitë për realizimin e projekteve investuese në vend, kryesisht në fushën e energjisë gjelbër dhe burimeve të rinovueshme.
Ministri Bekteshi informoi se Maqedonia e Veriut po punon intensivisht për tranzicionin energjetik dhe diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji, si dhe përfaqëson potencialet ekonomike, teknologjike dhe investuese të vendit tonë.