Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ndodhet në Tiranë në hapjen e mbledhjes plenare të grupeve ndërqeveritare të punës, të cilët sot dhe nesër do të diskutojnë për implementim më të hollësishëm të marrëveshjeve të arritura në kuadër të Ballkanit të Hapur.
Ministri Bekteshi ka shkruar në Facebook se në kushtet e krizës energjetike botërore, lidhja rajonale për siguri më të madhe energjetike dhe stabilitet energjetik është fokusi më i madh i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Ai shton se vendi ynë ka një rol kyç në lidhjen rajonale energjetike dhe me investime të reja dhe projekte infrastrukturore të vendeve të “Ballkanit të Hapur” po hapen potenciale të gjera ekonomike, në radhë të parë duke investuar në projekte kapitale në rrjetin e energjisë elektrike.
Bekteshi potencon se Maqedonia e Veriut po punon intensivisht në ndërlidhjen e tubacioneve të gazit me Greqinë, Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë dhe plani është që në periudhën e ardhshme të ndërtohet një tjetër gazsjellës me Bullgarinë. Ndërsa specifikon se do të realizohet edhe projekti i ndërlidhjes me Shqipërinë nëpërmjet linjës hekurudhore.