Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi njofton se i ka dërguar letër ministrit të Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës, Endrit Shalaj që në kohë sa më të shkurtër t’i heqin barrierat.
“Ashtu siç u dakorduam. Faktet dhe argumentet tona qëndrojnë. Pres që Kosova për një afat të shkurtër kohor të sigurojë dokumentet e nevojshme për të hequr barrierat. Ne jemi të përkushtuar në përmirësimin e kushteve të punës të kompanive dhe rritjen e tregtisë, ndërsa për kompanitë tona hapim tregje të reja duke i plotësuar të gjitha standardet shëndetësore dhe standardet e tjera që kërkohen nga BE!”, shkruan Bekteshi.
Në bazë të marrëveshjes së arritur mes autoriteteve të Maqedonisë dhe Kosovës, siç shkruhet në letrën e dërguar në adresë të Endrit Shalës, Maqedonia pret që gjatë këtyre ditëve të punës të tërhiqet vendimi për ndalimin e eksportit të patateve dhe mjaltit nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës.
Dy ditë më parë, Bekteshi dhe Shala u dakorduan në Prishtinë se Agjencia e Veterinarisë e Kosovës t’i sjellë Maqedonisë garanci shtesë, e që sipas Shalës Kosova nuk e ka për obligim t’i ketë në vendet e tjera nënshkruese të CEFTË-s.
“Ne jemi dakorduar që deri ën fund të kësaj jave Agjencia jonë do t’i përfundojë detyrat e veta dhe pas kësaj Agjencia i Veterinarisë i Maqedonisë edhe ta heqë atë barrierë që e ka me Republika e Kosovës e në këtë rast porsa që ti kemi, ne parimisht vetëm se u dakorduam për këto hapa, por në momentin që të dyja palët, Republika e Kosovës dhe Maqedonisë, i përfundojnë këto atëherë edhe do t’i eliminojmë masat e vendosura”, theksoi Endrit Shala, ministër i Kosovës për Tregti dhe Industri.
Kosova një javë më parë vendosi që barriere që patatet dhe mjalti i Maqedonisë të mos mund të futet në Republikën e Kosovës. Kjo sepse paraprakisht Maqedonia kishte vendosur ndalesë për importimin e peshkut të freskët dhe ikrën e Kosovës, për shkak të mungesës së monitorimit të gjendjes së tyre në Kosovë.