Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi thotë se qëllimi kryesor është rritja e standardit jetësor në nivel me vendet e zhvilluara evropiane.
Sipas tij, përqendrimi kryesor i Ministrisë së Ekonomisë dhe i Qeverisë gjatë periudhës së ardhshme janë sigurimi i mundësive për zhvillim, krijimi i vendeve të reja të punës, standard më i mirë për qytetarët, kushte më të mira për biznesin dhe inovacione që do të rrisin dhe zhvillojnë ekonominë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Prioriteti në katër vitet e ardhshme është që përmes masave dhe programeve të Ministrisë së Ekonomisë të punojmë në hapjen e vendeve të reja të punës që do të thotë edhe uljen e papunësisë. Qëllimi është që papunësia të ulet me nga tre për qind në vjet, ashtu siç e bëmë gjatë viteve paraprake”, tha Bekteshi.
Si ministri, theksoi Bekteshi, do të vazhdojmë me tempo të përforcuar për t’i mbështetur kompanitë vendore, investimet e huaja dhe do të punojmë në nxitjen e investimeve në energjetikë, turizëm dhe zanate./Telegrafi/