Telegrafi

Bekteshi: Ka mjaftueshëm rezerva të produkteve, nuk ka vend për panik

“Nuk ka vend për panik, ka mjaftueshëm rezerva, veçanërisht për produktet themelore. I ndjekim trendet edhe të importit edhe të eksportit të produkteve adekuate dhe me kohë do të njoftojmë për çfarëdo lloj masash të cilat do t’i ndërmarrë Qeveria pas analizave të hollësishme fillestare të bëra”.

Këtë e porositi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi pas kontrollit të jashtëzakonshëm në disa markete në Shkup, të cilat i bëri bashkë me drejtorin e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), Zoran Atanasov dhe inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Jemi këtu që ta ndjekim pastërtinë e marketeve dhe sigurinë e ushqimit, por njëkohësisht edhe të shohim se si funksionon duke pasur parasysh se në shtet tashmë janë mbyllur kafenetë dhe baret dhe qytetarët kanë më shumë kohë që të shkojnë dhe të blejnë nëpër markete në të cilat krijohen rrëmuja. Si Qeveri dhe Ministri do të vazhdojmë me kontrollet, ndërsa do të ndërmarrim edhe masa shtesë”, deklaroi Bekteshi.

Ai i porositi qytetarët që t’i respektojnë masat dhe rekomandimet e Qeverisë, por edhe rregulloret e marketeve./Telegrafi/