Telegrafi

Bekteshi: BDI nuk pretendon rajonizim, por të respektohet legjitimiteti

Qëllimi final i Platformës së Frontit Europian dhe BDI-së si prijëse e këtij fronti do të jetë barazia e plotë dhe moslejimi i injorimit dhe shkeljes flagrante të parimeve të Marrëveshjes së Ohrit, tha Kreshnik Bekteshi nga BDI, në emisionin e sotëm DailyClick të TV21.

Ai siguron se  BDI nuk ka pretendime për rajonizim apo kantonizim të Maqedonisë së Veriut, por siç shton, nuk mund të rrinë duarkryq para injorimit dhe degradimit të shqiptarëve në Maqedoni.

Duke folur për paralajmërimet që në vjeshtë do të dalin në terren, Bekteshi tha se do t’u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve, edhe ata që nuk e kanë përkrahur FE në zgjedhje, të bëhen pjesë e kësaj Platforme duke dhënë ide që të përmirësohet dhe respektohet legjitimiteti.

Protestat nuk përjashtohen.

Në DailyClick Bekteshi zbuloi edhe se kanë marrë informacione se brenda partnerëve qeverisës, të cilët sipas Bekteshit u japin detyra institucioneve të sigurisë që t’i ndjekin përfaqësuesit e Frontit Europian për veprimet që do të ndërmarrin e që lidhen me masat e paralajmëruara për mbrojtjen e legjitimitetit.

TV21 ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Brendshme për këto pohime të Bekteshit dhe është në pritje të përgjigjes.