Telegrafi

Bektel & Enka, konkurent për ndërtimin e autostradës me kredi

Deri më 25 shtator Kosova do ta hapë ofertën e saj për fillimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Vërmicë. Ky projekt do të realizohet nga partneriteti publiko-privat me kredi, ndërkaq, në listën e ngushtë për realizimin e tij kanë hyrë shtatë kompani të huaja, u bë e ditur pas takimit të sotëm të komitetit ndërministror të autostradës.

Komiteti Ndërministror për autostradën Vërmicë-Prishtinë ka miratuar rekomandimet e kompanisë konsultuese “Eversheds”, që autostrada të ndërtohet nga partneriteti publiko-privat përmes kredisë.

Ministri i transportit dhe Postë-telekomunikacionit, Fatmir Limaj, i cili e kryeson Komitetin ndërministror, tha se nga kompania konsultuese kanë kërkuar hapjen e ofertës për mbikëqyrjen ndërkombëtare të realizimit të punimeve, si dhe përgatitjen e dokumenteve për hapjen e ofertës për realizimin e punimeve deri më 25 të këtij muaji.

Ministri Limaj tha se rëndësia e kësaj rruge është mjaft e madhe, jo vetëm për shkak se i krijon mundësinë Kosovës për dalje në det, por sepse do të ndikojë edhe në punësimin e rreth 3 mijë personave, në zhvillimin e zonave përgjatë autostradës dhe në avancimin e tregtisë dhe turizmit. Ai tha se rruga do të ndërtohet sipas standardeve ndërkombëtare dhe garantoi transparencë të plotë gjatë procesit. /telegrafi/