Trajneri i Drenicës, Bekim Shotani ka thënë se nuk ndihet në presion pas humbjes ndaj Trepçës ’89 në shtëpi.
Drenica u mposht me rezultat të thellë 5-2 nga Trepça ’89, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e gjashtë në Albi Mall Superligë.
“Nuk është presioni në pyetje, por përgjegjësia, pasi trajneri mbështetet në rezultate. Unë së bashku me shtabin teknik do të punojmë për të ardhur deri te rezultatet, pasi për këtë kam ardhur këtu”.
“Nuk kemi presion, asnjëherë nuk kemi pasur presion, por duhet të jemi të vetëdijshëm që si trajner të nxjerrim më të mirën, pasi për atë edhe paguhemi”.
“Prej fillimi të ndeshjes nuk kemi qenë të disiplinuar dhe ky ka qenë ndëshkimi kryesor. Ne bëmë gabim të madh në vijën e fundit dhe kemi bërë që prej fillimit gabime në aspektin tekniko-taktik dhe nuk kemi qenë aspak si ndeshjet e kaluara”.
“Trepça ’89 me plot meritë fitoi ndeshjen. Kam thënë edhe më parë, çdo rezultat tjetër përveç fitores si vendas është rezultat i papranueshëm për ne”, ka thënë Shotani. /Telegrafi/