Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, ka reaguar në rrjetet sociale pas përplasjes me gazetarët gjatë ditës së djeshme në Spitalin e Tetovës.
Sali në Facebook ka shkruar se “nëse kanë gabuar si ministri kërkojnë falje”, duke shtuar se shpjegimi ka qenë dashamirës dhe aspak ofendues.
“Në asnjë kod të etikës gazetareske në botë nuk shkruan që asociacioni i gazetarëve mund të japë kualifikime morale të tipit ofendues “bezobrazno” (i pafytyrë). Ky kualifikim u përket më shumë gjykimeve të organizatave që cilësojnë mbi parime religjioze, por në asnjë rast nuk mund të jetë gjuhë e etikës gazetareske, e aq më pak e asocacionit të gazetarëve”.
“Nëse kemi gabuar si Ministri, kërkojmë falje, sado që shpjegimi ka qenë dashamirës dhe aspak ofendues. Është e natyrshme se njeriu që punon, edhe gabon! Shpresojmë se edhe organizatat e shoqërisë civile do të ngrihen në nivelin e detyrës së tyre dhe trendeve të komunikimit korrekt me institucionet, por edhe me metoda të përshtatura për vlerat e Bashkimit Europian!”, ka shkruar Sali.
Ndaj përplasjes së ministrit Sali me gazetarët reagoi edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, prej ku kërkuan që ministri i Shëndetësisë të kërkojë falje.
“Presim kërkim falje nga ana e ministrit Sali ndaj gazetarëve dhe vëmë në dukje se funksionarët shtetëror janë në shërbim të opinionit dhe ata nuk guxojnë të kenë sjellje të pahijshme dhe ofenduese ndaj gazetarëve, e me këtë ndaj opinionit deri tek i cili gazetarët duhet ti përcjellin informacionet”.
“Kjo është sjellja e pestë e pahijshme e një politikani ndaj një gazetari apo punonjësi tjetër mediatik në periudhë prej dy muajsh, gjë që flet për faktin se nuk bëhet fjalë për incidente të izoluara por për një trend negativ dhe qasje jokorrekte dhe nënçmuese nga ana e përfaqësuesve të Qeverisë ndaj gazetarëve”.
“Ky trend, shtojnë nga atje, pa dallim se do të ndikojë për një vlerësim negativ në raportet e Komisionit Evropian si dhe në raportet e tjera të organizatave të besueshme e që më pas do të reflektohet me raport negativ edhe në indekset e lirisë së shprehjes në të cilat Maqedonia e Veriut ka pasur një rritje gjatë viteve të fundit”, thuhet në reagimin e SHGM-së./Telegrafi/