Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari ka reaguar ashpër pasi fotografia e motrës së tij Besartës është vendosur në një billborad bashkë me foton e dy kandidateve për deputete nga Vetëvendosje.
“Sapo më njoftuan që në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, është vendosur një baner me motive politike, në të cilin është e vendosur edhe fotografia e motrës sime, Besarta Jashari”, ka njoftuar Jashari në Facebook.
“Është e papranueshme, jo njerëzore dhe jo etike keqpërdorimi i personalitetit të motrës sime, Besartës, për qëllime të caktuara politike”, ka vijuar më tej anëtari i Familjes Jashari.
Bekim Jashari ka thënë se kushdo që e ka bërë këtë veprim, nuk i ka bërë nderë historisë së lavdishme të kombit shqiptarë.
“Një veprim i tillë, në këtë kohë para zgjedhore i bërë nga kushdo qoftë nuk i bënë nder historisë dhe të kaluarës sonë të lavdishme, as atyre që në emër të vlerave tona kombëtare tentojnë të përfitojnë politikisht”.
Jashari ka kërkuar nga organet e rendit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të verifikojnë mirë rastin dhe të veprojnë sipas legjislacionit në fuqi./Telegrafi/