Nipi i komandantit Adem Jashari, Bekim Jashari e përkrah nismën e organizatave të dala nga lufta për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, por nuk beson që një gjë e tillë do të ecë përpara në Kuvendin e Kosovës.
Në një intervistë për KosovaPress, ai flet për këtë kërkesë që ditë më parë i është drejtuar deputetëve të legjislativit dhe për ftesën që Specialja i ka bërë presidentit të vendit, Hashim Thaçi.
Kryetari i Komunës së Skenderajt kërkon unitet nga të gjitha partitë politike sa i përket temave nacionale, pasi sipas tij, është koha e fundit për t’u bërë bashkë në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet vendi.
Jashari nuk beson që deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta çojnë përpara nismën për ndryshim të Ligjit të Speciales dhe shton që dëshirë e tij është që nisma të gjejë përkrahje meqë sipas tij duhet të gjykojnë të gjithë akterët.
“Shpresat janë të vogla duke parë situatën aktuale. Dëshira ime është që të ketë përkrahje dhe të ecë ideja për ndryshimin e Projektligjit për Gjykatën Speciale. Edhe në fillim kam qenë kritik i kësaj gjykate, jo pse Gjykata Speciale duhet të merret me krimet në Kosovë, por pse vetëm me shqiptarët, pse vetëm me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pse jo me të gjithë akterët pavarësisht etnisë, me të gjithë ata që ka dëshmi se kanë kryer krime. A po duam të pastrojmë një gjë të tillë, atëherë duhet të përfshihen të gjithë akterët dhe jo të bëjmë ndasi”, tha Jashari.
Jashari ka kritikuar ata që sipas tij i janë gëzuar faktit që presidenti Hashim Thaçi apo kryetari i PDK-së Kadri Veseli kanë marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale.
Ai thotë se lufta për liri ka qenë kauzë e përbashkët, andaj nevojitet unitet lidhur me këtë çështje edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës.
Ai mendon që për çështje nacionale siç është Gjykata Speciale apo dialogu me Serbinë, politikanët kosovarë duhet të jenë unikë.
Sipas Jasharit, ftesa e Speciales për presidentin Thaçi, do të ndikojë në çështjen e Kosovës me Serbinë sa i përket tavolinës së bisedimeve.
“Besoj që po, sepse është i zoti i shtëpisë dhe është personi që ka qenë nga fillimi në këto bisedime”, tha Jashari.
Ditë më parë, organizatat e dala nga lufta kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Sipas tyre, Specialja duhet të merret edhe me Serbinë dhe krimet e kryera nga serbët në Kosovë. /kp/Telegrafi/