Kryetari i Skenderajt, djali i heroit Hamëz Jashari, Bekimi, për herë të parë është paraqitur në një debat televiziv duke treguar detaje për Epopenë e Jasharajve.
Bekim Jashari në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka rrëfyer dëshmi nga dëshmitarët e afërt për humbjet e forcave serbe në ditët kritike.
Ai thotë se është e sigurt se një tank serb ka qenë e djegur dhe sipas tij gjurmët saj i ka tërhequr pas lufte KFOR-i francez.
“Qysh ditën e parë, Bashkimi tregon se e ka parë që i ka dalë tymi. E ka pyetur Hamzën se çfarë po ndodh. Hamza i ka thënë se Ademi e ka kallur një tank”.
“Ka shumë dëshmi që familja ime e ka paguar vetën me 20 fish”.
“Një kushëri që ka qëndruar në kulmin e shtëpisë derisa ka përfunduar ngjarja tregon se Hamza me murtajë i ka kallur 50 prej tyre”.
Bekimi thotë se edhe Besarta rrëfen se kur e kanë marrë serbët, ajo ka parë shumë prej tyre të shtrirë në tokë.
Ai thotë se edhe një familjare që ka punuar në Spitalin e Mitrovicës ka treguar për rrëfimin e një komandanti të plagosur.
“Ata nuk e kanë ditur se ajo është shqiptare. Ajo tregon se komandanti ishte shumë i inatosur. Sipas saj ai kishte thënë: “Kam luftuar edhe në Kroaci, por si është e mundur që të na vret një 13 vjeçar”.
Anëtari i Familjes Jashari thotë se vet fakti që luftimet kanë zgjatur tri ditë është i mjaftueshëm për të treguar se aty ka pasur luftë./Telegrafi/