Telegrafi

Jashari flet për përleshjen në degën e PDK-së – nuk do të jem fajtori kujdestar për çdo problem që ndodhë në subjektet politike

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pas raportimeve se në degën PDK-së në këtë komunë të dielën ka pasur përleshje e fyerje, gjatë procesit të brendshëm zgjedhor.

Përmes një shkrimi, Jashari ka thënë se nuk është as nuk do të jetë fajtori kujdestar për çdo problem që ndodhë në subjektet politike.

“Unë i kam hapur dyert e bashkëpunimit për të gjithë, pa dallim. Pavarësisht kësaj, për aq kohë sa do të jem në krye të Komunës, përkrahës të mi i konsideroj të gjithë banorët e Skenderajt. Për mua, të gjithë, pa asnjë dallim, janë qytetarë të barabartë, të njëjtë”, ka thënë Jashari.

Lexoni të plotë reagimin e Bekim Jasharit:

Të nderuar,

Dje dhe sot kam qenë shumë i angazhuar me projekte në interes të qytetarëve të Skenderajt.

Dje, zyrtarisht në Skenderaj kemi shpërnda 164 bursa për studentë, ndërsa sot kam qenë i angazhuar në takim me biznesmenë, për të sjellë investime në Skenderaj, për të hapur fabrika dhe vende pune.

Pavarësisht angazhimeve të mia, për të mirën e qytetit, janë të tjerët të cilët tentojnë të më involvojnë në tema që fare nuk më interesojnë, dhe as që dua të merrem me to.

Dhe, sado që mundohesh të mos i kushtosh rëndësi çfarë shkruajnë, atëherë kur tentojnë të të nxjerrin ashtu siç nuk je, me gjithë angazhimet e stafit dhe bashkëpunëtorëve, për të sjellë investime, me qëllim të çuarjes përpara këtij vendi të varfër e me numër të lartë të papunësisë, dhe me shumë probleme të tjera, prapësëprapë duhesh t’ua kujtosh faktin se Skenderaj do të jetë ndryshe nga së janë mësuar ta shohin e ta trajtojnë.

Bekim Jashari nuk është as nuk do te jetë fajtori kujdestar për çdo problem që ndodhë në subjektet politike.

Unë i kam hapur dyer e bashkëpunimit për të gjithë, pa dallim.

Pavarësisht kësaj, për aq kohë sa do të jem në krye të Komunës, përkrahës të mi i konsideroj të gjithë banorët e Skenderajt. Për mua, të gjithë, pa asnjë dallim, janë qytetarë të barabartë, të njëjtë.