Site icon Telegrafi

Bekim Fehmiu dhe enciklopedia filmike maqedonase

Këto ditë, shtëpia botuese maqedonase “Kultura”, botoi “Enciklopedinë filmike” të autorit Georgi Vasilevski, i cili Bekim Fehmiun e quan “aktori serb”! Enciklopedia në fjalë u sponsorua nga Ministria e Kulturës! Deri kur institucionet shtetërore maqedonase do ta ofendojnë e do ta mohojnë botën shqiptare…

As nga qeveria por as nga akademia maqedonase që është shndërruar në filiale të politikave raciste të kësaj qeverie, nuk ka as pendesë por as kërkim falje për fyerejt dhe mohimet raciste që i bëhen shqiptarëve. Përkundrazi, qëndrimi zyrtar maqedonas këto ditë u betonua në raport me shqiptarët të cilët, sipas popullit më kontravers dhe më artificial në botë, shqiptarët na qenkan ardhacakë, egërsirë, bisha malesh që paskan ngrënë e dëbuar maqedonasë nga atdheu i tyre, Maqedonia!

Kur u mbështetën për muri thanë se do ta ndërrojnë “enciklopedinë” raciste, thanë se do ta shkarkojnë redaksinë, se do ta largojnë redaktorin racist, R. Bllazhevskin, se do ta përmirësojnë tërë enciklopedinë deri sa ta sjellin në një përmbledhje të fakteve dhe argumenteve shkencore. U heshtën shqiptarët dhe, maqedonasit, sërish u trimëruan. Nuk ka heqje dorë nga versioni i parë i “enciklopedisë” përplot me shpifje, gënjeshtra, mohime e urrejtje sidomos ndaj shqiptarëve si komb.

Padyshim, përveç që është një strategji zyrtare për të përvetësuar traditë, gjuhë, trashëgimi kulturore, të mira materia, histori, territore, merita, ajër, ujë, dritë e çka jo tjetër, është edhe një strategji tjetër “e fshehtë” e strukturave maqedonase që me çdo kusht të shtrembërohet e vërteta për shqiptarët! Morali i kësaj strategjie – duke u mohuar të tjerët, duke ua vjedhur lashtësinë, të dëshmohet autoktonia e hershme e maqedonasëve, të cilët, që nga vdekja e Aleksandit të Madh e këtej na qenkëkan degraduar nga ardhacakët si grekët, bullgarët, serbët e në fund edhe nga shqiptarët!
Ky është iluzioni me të cilën tash po jetojnë pjesëtarët e këtij popull sllav të dyndur në këto anë nga shekulli shtatë e që nisën të emërohen sipas emrit të krahinës ku zunë vend dhe gradualisht u socializuan.

“Enciklopedia” raciste maqedonase në fakt qe vetëm një “rrjet peshkimi” sa për të nxjerrë në sipërfaqe edhe një sërë “prodhimesh” të tjera “shkencore” të cilat përmbanin materie pikërisht nga kjo “enciklopedi” problematike. Doli libri i historisë, pastaj doli libri i gjeografisë ku shqiptarët trajtohen ngjashëm si në “enciklopedi”, pastaj dolën një dyzinë librash “historike” ku populli maqedonas trajtohet si “popull i hyjnishëm”, më trimi në botë e gjithnjë i shtypur nga bullgarët, grekët dhe shqiptarët!

Në vazhdën e kësaj strategjie të sëmurë nacionale është edhe botimi i fundit i dalur nga shtëpia botuese “Kulltura”, nga Shkupi. Bëhet fjalë për “Enciklopedinë filmike” të autorit Georgi Vasilevski, e të finansuar nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë. Sipas autorit bëhet fjalë për një enciklopedi që përfshinë ngjarje, personalitete e krijime nga bota e filmit. Ajo që të bie sakaq në sy është fakti iritues e që ka të bëjë me përfshirjen e shumë aktorëve e filmave maqedonasë që janë ngritur në nivelin e aktorëve dhe filmave botërore.

Në kuadër të filmave dhe aktorëve botërore vend të konsiderueshëm zënë edhe filmat dhe aktorët serbë, pastaj ata kroatë, boshnjakë, turq dhe, si shkarazi do t’i jepet një shtyllë hapësirë edhe aktorit me përmasa botërore, Bekim Fehmiut. Asgjë nga bota filmike shqiptare! Fatkeqësisht, edhe në këtë rast vie në shprehje qëndrimi fashist që po mugullon nga ndërdija e intelektualëve maqedonasë. Bekim Fehmiu emërtohet si aktor serb! Tekstualisht thuhet: “Bekim Fehmiu është aktor serb i filmit dhe i teatrit me prejardhje etnike shqiptare. Tërë bota, madje edhe vetë serbët e njohin si aktor shqiptar përveçse maqedoansit! Autori i kësaj enciklopedie nuk nënvizon faktin që, më vitin 1987, në mënyrë demonstative Bekim Fehmiu hoqi dorë nga shfaqja “Madame Kolontine” të autorit Anete Playel, edhe atë jo për shkaqe teknike por pikërisht për faktin se serbët e kishin mbushur kupën e propagandës antishqiptare.

Edhe Vasilevski bën pjesë në atë kruzhokun e intelektualëve sllavomaqedonasë të cilët edhe sot e kësaj dite kur flasin për Kosovën flasin si për “krahinën serbe”, shqiptarët e Kosovës i quajnë “shqiptaro-serbë”, shqiptarët e Maqedonisë i quajnë “shqiptaro-maqedonasit”. Fatkeqësisht, kjo tendecë fashizoide sllavomaqedonase gjithnjë e më shumë po gjenë përkrahje institucionale dhe madje po zyrtarizohet nga institucionet e larta të shtetit.

Të trajtohet si aktor serb aktori shqiptar, me famë botërore, Bekim Fehmiu, është një ofendim nga më të rëndat që mund ta bluajë vetëm mendja e ulët akademike.
Edhe diçka, të premten në Maqedoni do të qëndrojë për vizitë zyrtare, Ministri i punëve të jashtme i Kosovës, Skender Hyseni. Është mirë dhe akt kombëtar që me një diplomaci fine të kërkojë që shtëpia botuese si dhe ministria maqedonase e kulturës t’i kërkojnë falje Bekim Fehmiut.

Dikur te Ura e Gurit gjendej një copë mermeri ku thuhej se në iks vitin në këtë vend pushtuesit osman e vranë patriotin maqedonas, Karposhin! Pas restaurimit dhe meremetimit të kësaj Ure, Drejtoria për Trashëgimi Kulturore e Maqedonisë, në po të njëjtin vend vuri një pllakë përkujtimore edhe më të madhe me të njëjtin tekst. Me kërkesë të ministrisë turke, të përcjellë nga ambasadori turk në Maqedoni, kjo Drejtori e hoqi me urgjencë atë pllakë, sepse, sipas turqëve otomanët nuk na paskan qenë pushtues por shpëtimtarë, nuk na paskan vrarë por paskan përhapë dritë, dituri e shpëtim.

Gënjeshtrat nuk mund të përmirësohen me heshtje por duke reaguar përmes mënyrave të ndryshme. Gënjeshtra e heshtur nis dhe e merr trajtën e së vërtetës! Në rastin e Bekim Fehmiut është vetëm një e vërtetë. Ai është shqiptar me rrënjë e me gjak. Institucionet përkatëse kombëtare e kanë për obligim që ta ngrisin zërin dhe ta demantojnë këtë gënjeshtër dhe mos ta trajtojnë si “problem i karakterit maqedonas! Bëhet fjalë për të madhin tonë, Bekim Fehmiun.

Exit mobile version