Telegrafi

Bekim Fazliu: BDI mjetet e pakta të buxhetit për shqiptarët i shndërron në hiç!

Sot në një konferencë për gazetarë, gjithnjë sipas tij, politikat antishqiptare të qeverisë BDI-OBRM, të cilët shihen qartë përmes miratimit të buxheteve dhe rebalancëve të buxheteve, ka folur deputeti i PDSh, Bekim Fazliu, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“I vetmi rast kur shqiptarët diskriminohen më shumë se sa gjatë miratimit të buxheteve shtetërore ndodh kur miratohen rebalancët e buxheteve, ku edhe ato pak projekte të parapara në buxhet në fillim të vitit eliminohen nëpërmjet rebalancit në mes të vitit. Kjo është bërë praktike e “qeverisjes” 13 vjeçare të BDI. Në fillim të vitit ndahen shumë pak mjete që me rebalanc këto pak mjete të shndërrohen në hiç”

Rebalanci i cili është dorëzuar në parlament nga ana e qeverisë BDI-OBRM për miratim vazhdon ti len vendbanimet shqiptare pa ujë për pije, pa rrugë adekuate, me sistem arsimor të dërrmuar dhe me institucione shëndetësore të shkatërruara.

Dallimi në mes vendbanimeve shqiptare dhe atyre maqedonase tashmë është evident dhe i dukshëm nga të gjithë dhe në të gjitha sferat e jetës, shihet dallimi në spitalet, rrugët, shkollat, investimet në bujqësi, në hapje të vendeve të punës, etj.” ka thënë Fazliu.

Partia Demokratike Shqiptare ka përgatitur me qindra amendamente me të cilat do të përpiqet nëpërmjet numrave, shifrave, projekteve, ta faktojë diskriminimin e madh dhe vjedhjen që ju bëhet shqiptarëve nga ana e qeverisë BDI-OBRM nëpërmjet buxhetit të shtetit”, është shprehur ai./Telegrafi/