Site icon Telegrafi

Bekenbaueri dhe Bajerni i Kosovës

Vargut të vizitave të disa ish-yjeve të sportit botëror qe iu bënë Kosovës në dhjetëvjetëshin e fundit, siç ishin ato të brazilianit Ronaldo, pastaj të danezit Mihael Laudrup, francezit Zhan Tigana, të premtën që kaloi iu shtua edhe ajo e legjendës së futbollit botëror Franc Bekenbauer. Është kjo vizita e një prej personaliteteve më të shquara që ka futbolli botëror aktualisht, e i cili erdhi me ndërmjetësimin e presidentit të ri të Kosovës, z.Behgjet Pacolli.

Pritja që iu bë sipas protokollit presidencial kaloi si është më së miri, nga ajo që pamë, ndërkohë që kjo nuk mund të thuhet për pritjen që iu organizua në stadiumin e FC Prishtina, nga drejtuesit e skuadrës kryeqytetase, e cila edhe këtë herë doli mbi Federatën e Futbollit të Kosovës, dhe mbi Ministrinë e Sportit, duke dëshiruar që të marrë primatin e skuadrës më të organizuar në vend, gjë që nuk doli kështu në praktikë.

Pritja në stadiumin e kryeqytetit siç u pa dhe u përfol nga një pjesë e atyre që ishin të pranishëm, ishte tejet zhgënjyese. Ardhja e Kajzerit të madh gjerman, nuk ndodhi në tempullin e madh të futbollit (stadiumin) i cili i ngjante një kantieri të ndërtimit të shkatërruar. Drejtuesit e skuadrës bardhekaltër në krye me kryetarin e FC Prishtina, Remzi Ejupi, dëshmuan edhe një herë se nuk janë të denjë të organizojnë pritje çfarë kërkohen në rastet e tilla. Mirëpo, si duket këtë privilegj të cilin nuk e arsyetuan me asgjë ua fali presidenti Behgjet Pacolli.

Ejupi në fjalën e tij përshëndetëse, të cilën e kishte shkruar, e lexoi me shumë vështirësi dhe mirë që Bekenbaueri nuk e dinte shqipen dhe kjo kaloi pa u hetuar nga mysafiri i nderuar. Kjo gafë u mbulua nga duartrokitjet e të pranishmëve, të cilat ishin dedikuar kryesisht për legjendën e futbollit botëror, Kajzerin e madh gjerman, ndërkohë që në përcjellje të tyre ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, të cilit as që iu dha fjala.

Duke e parë gjendjen në të cilën ndodhej stadiumi i kryeqytetit, drejtuesit e skuadrës prishtinase kanë mundur që këtë pritje ta organizojnë në një vend tjetër, në hotel. Pamjet në stadium nuk mund të krahasohen as me periudhën e viteve të hershme madje edhe ato të vitit 1945-50.

Për të mos u zgjatur shumë, këtë herë nuk po japim më shumë vërejtje për pritjen e zymtë që iu bë Bekenbauerit në stadiumin e FC Prishtina. Kjo pritje vetëm dëshmoi edhe një herë se drejtuesit e klubit me epitetin të cilin ia dha Remzi Ejupi “Ky është Bajerni i Kosovës” me asgjë nuk e arsyetoi veten…

Exit mobile version