Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka thënë se zjarrfikësit ia kanë shpëtuar sot shtëpinë e tij nga flakët e zjarrit që janë përhapur në fshatin e tij në Llukafc të Istogut.
Berisha, përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar zjarrfikësit dhe bashkëfshatarët.
“Faleminderit për zjarrfikësit e Istogut te cilët shpëtuan shtëpinë time nga zjarri sot, Faleminderit për angazhimin tuaj të përditshëm.
Falenderoj perzemersisht bashkëfshatarët e mi që u aktivizuan shpejtë gjithashtu!
Mirnjohes gjithmonë”, ka shkruar Berisha, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, Kosova është duke vazhduar të përballet me vatra të zjarrit në pyje e hamullore të ndryshme, e ku situata më serioze vazhdon të jetë në bjeshkët e Rugovës.
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një njoftimi për media thotë se, me të gjithë mekanizmat e saj, tash e shtatë ditë po vazhdon të ballafaqohet me situatën e zjarreve të krijuara si pasojë e temperaturave të larta, ku aktualisht po përballet me zjarrin në Parkun Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna në Shtupeq të Komunës së Pejës. /Telegrafi/