I njohur si tip sportiv dhe njeri që e pëlqen alpinizmin, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha jo rrallë herë gjatë këtij viti ka qenë lajm në mediat shqiptare për deklaratat dhe veprimet e tij sa i përket sportit.
Në një intervistë për Telegrafin me gazetaren Jehona Hulaj, Berisha ka treguar se përse pëlqen të merret me sport.
“Sporti është më i lehtë me u marr me ta dhe ja kom kushtua një kohë të madhe. E kam cek edhe më herët që prindërit i kam pasur maratonistë, e kemi një kulturë sportive në familje”, u shpreh Berisha.
Përveç kësaj, Berisha njihet edhe si person që pi shumë espresso. I pyetur se a vazhdon të pijë nga 70 në ditë, ai përgjigjet që po.
“I pijë prapë shumë, ka 70 jo, këto mi keni shtu ju gazetarët ama i pijë kogja do dhe nuk po më bëjnë dëm po më kënaqin”, shprehet Berisha.
E në këtë intervistë nuk mundem t’i ikim edhe pyetjes për deklaratën që kishte dhënë Berisha për Vladimir Putinin, ku kishte thënë se “ia kishte jep veshët në dorë po të ishte më i ri”.
Berisha sqaroi se përse e kishte dhënë këtë deklaratë.
“Kjo deklaratë ka qenë në Top Channel dhe më pyetën pasi që edhe Putini kishte hyrë në akull siç kam bërë unë. Pastaj thash se të ish kanë ma i ri ja kisha jep veshtë dorë. Unë si i ri dhe gjenerata që kemi marrë pjesë luftë kemi pasur problem me propagandën që u bë në atë kohë edhe prej shqiptareve që Serbia është shumë e fortë, dhe unë këto deklarata i bëjë pak si mesazh për të rinjtë se shqiptarët janë më të fortit në botë në çdo aspekt, dhe për rus neve nuk na nin hiq”, tha Berisha.
Ai shtoi se ka dëshirë të krahasohet me Skënderbeun dhe se përveç Putinit i ka edhe disa personalitete të cilëve do t’ua kishte jep “veshët në dorë” por që nuk i përmendi me emra.
“Unë kam qef me u krahasua ose e mbaj dhe e kom në zemër Skënderbeun. A për Putinin dhe qeta si ky sahi jau dha veshët në dorë.. ka edhe disa tjerë po nuk po i përmendi”, u shpreh Berisha.
Mesazhi i tij për fund ishte që të kemi një vit të suksesshëm.
“Shpresoj të kemi zgjedhje të rregullta të mira qysh e kemi bërë traditë edhe pse jemi në një gjendje të keqe me pandeminë. Të kemi një vit të suksesshëm, sepse ky vit do të mbahet mend si vit i zymtë shkaku i pandemisë dhe situatave politike”, tha ai në fund. /Telegrafi/