Në Muzeun Historik të Shqipërisë u publikuan dy libra me vlera për historinë e vendit: “Letra shqiptare” nga Arthur Evans dhe “Kosova – një Histori përmes dokumenteve”, që u përgatit nga Robert Elsie dhe Bejtullah Destani. Libri mbi Kosovën përmban një mori dokumentesh nga Lufta Ballkanike deri në Luftën e Dytë Botërore.
Destani tha se “me porosi të fundit nga i ndjeri Robert Elsie, ai do të përgatisë edhe vëllimin e dytë të librit Kosova përmes dokumenteve, nga viti 1945 deri në ditët e sotme.
“Robert Elsie ishte një punëtor i madh i historisë së Shqipërisë. Pak para se ndërronte jetë, ai më tha se kishte ende edhe 50 libra për temat shqiptare. Ai u shkroi shumë institucioneve në Tiranë dhe Prishtinë, por nuk mori përgjigje”, tha Destani, bashkëpunëtor për shumë vite i studiuesit Elsie.
Librat sjellin mundësinë për të studiuar mbi historinë e Shqipërisë dhe Kosovës mbi bazën e dokumenteve origjinalë, duke lënë mënjanë mitet, spekullimet dhe legjendat.
Libri “Letrat shqiptare” i Artur Evansit përmban tema mbi nacionalizmin, pavarësinë dhe Lidhjen Shqiptare dhe u përgatit nga Bejtullah Destani dhe Jason Tomas.
Librat janë të dy në gjuhën angleze dhe synojnë që të mbërrijnë auditorët e lexuesve dhe studiuesve anglishtfolës dhe janë një nderim për autorët Artur Evans dhe Robert Elsie.
Librat përmbajnë prova dhe fakte të sakta, dokumente origjinalë për disa nga ngjarjet më të rëndësishme të Ballkanit, Shqipërisë dhe Kosovës, material që forcon dhe ndihmon në seriozitetin e historiografisë shqiptare. /VoA/