Pas katër viteve si i pari i Gostivarit, erdhi koha që t’ia liroj zyrën Arben Taravarit.
Tanimë ish kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta, ishte i pari që ia uroi fitoren kundër-kandidatit të tij që mbrëmë, kurse një ditë pas zgjedhjeve erdhi për herë të fundit në zyrën e tij, prej ku doli në mesditë, dhe paralajmëroi se më nuk mendon që të kthehet, njofton TV21.
Humbjes iu gëzua familja ime, thotë Bejta, pasi tani do të kem më shumë kohë për familjen. Por nuk u gëzua edhe administrata dhe ekipi që shoqëroi Bejtën për katër vite, për derisa ai po kryente funksionin e të parit të Gostivarit.
Ndryshimet janë pjesë e demokracisë, dhe atë duhet ta ruajmë të gjithë iu tha Bejta administratorëve. Atyre u bëri thirrje që të punojnë edhe më shumë për kryetarin e ardhshëm, që Gostivari të bëhet qytet edhe më i mirë seç është.
“Unë tërhiqem nga aktivitetet politike deri në një afat të papërcaktuar. Nëse në të ardhmen shoqëria e vendit tonë do të ketë nevojë për përvojën time politike, dhe për investimin politik që kanë bërë ata, unë përsëri do të kyçem në jetën politike, për të mirën e vendit dhe për të mirën e shoqërisë së shtetit tonë”, u shpreh Nevzat Bejta, ish Kryetar i Gostivarit.
Bejta i bëri thirrje Taravarit që mos të bëjë presion ndaj administratës, kurse e rikujtoi se subjekti i tij do të jetë aty pas katër viteve, që të garojë sërish për Gostivarin. Dallimi mes Taravarit dhe Bejtës ishte 965 vota, kurse ky ishte mandati i dytë i Bejtës, pas atij 2005-2009.