Site icon Telegrafi

​Bejta: Gjykatat t’i shqyrtojnë kërkesat për kompensim të dëmeve të luftës nga Serbia

Shoqata për Dëme të Luftës “Ngritja e Zërit” ka dorëzuar dosje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë të vendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës, drejtuar kundër Qeverisë së Serbisë.

Drejtori i kësaj shoqate, Jahir Bejta tha se gjykatat në Kosovë po refuzojnë kërkesën e tyre për kompensim të dëmeve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai kërkoi që këto dosje të dorëzuara të cilat përmbajnë detaje të dëmeve, të merren parasysh dhe të mos hedhen poshtë edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Bejta theksoi se gjykatat kosovare janë kompetente t’i shqyrtojnë paditë për kompensim të dëmeve.

Për këtë, avokati Ardian Bajraktari theksoi se në bazë të përvojave të kaluara, kur palët nuk janë të autorizuara, vështirë se do të merret parasysh ky dorëzim i dosjes për kompensimin e dëmeve nga kjo shoqatë.

“Ne tani deri në Gjykatën Kushtetuese e kemi kaluar procedurën nëpër Gjykatën Themelore, Gjykatën e Apelit dhe së fundi kemi bërë kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme të Kosovës. Fatkeqësisht dhe mjerisht nuk është lejuar revizioni, por kemi marrë aktvendim mbi refuzimin e kërkesës për revizion dhe tani jemi pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës në përputhje me kushtetutën e vendit. Gjykatat tona, gjyqësori vendor, madje edhe Gjykata Kushtetuese, janë të obliguara t’i implementojnë konventat ndërkombëtare, madje me supermaci, të cilat i mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore. Gjyqësori jonë është duke i refuzuar, duke i hedhur, duke u thirrur në jo kompetencë. Nuk ka diçka më të rëndësishme se jeta e njeriut, prona dhe dinjiteti njerëzor. Gjykatat tona përveç që i refuzojnë, i udhëzojnë palët viktima që të drejtat e tyre të mohuara dhe të rrënuara t’i dërgojnë nëpër gjykatat e Beogradit…Gjykatat tona janë kompetente t’i shqyrtojnë paditë për kompensim të dëmeve”, tha Bejta.

Përveç kësaj, Bejta potencoi se do të kërkojnë drejtësi për krimet serbe edhe në gjykata ndërkombëtare.

Ndërkaq, anëtari i kryesisë Ibrahim Xhaka e quan të shëmtuar neglizhencën e institucioneve vendore lidhur me këtë çështje.

“A ka gjë më të shëmtuar, më e keqe, në formën më barbare dhe që s’mund ta paramendoj njeriu kurrë, qeveria serbe në krye me Millosheviçin, ka bërë aq shumë dëme dhe krime që sot nuk merren institucionet tona. Ne jemi duke bërë përpjekje që ta dërgojmë deri në fund gjithë ato krime, dëme e pasoja që i ka shkaktuar regjimi serb i Millosheviçit”,

Sa i përket çështjes ligjore për këtë kërkesë, avokati Ardian Bajraktari  tha se çështja e adresimit në Gjykatën Kushtetuese është edhe e drejtë individuale porse duhet të jenë palë të autorizuara.

Ai tha se bazuar në rastet e kaluara të ngjashme, shoqatat duke mos qenë palë të drejtpërdrejta të involvuara, konsideron se mund të mos shqyrtohen fare.

“Në këtë drejtim është paragrafi i shtatë i nenit 113 (të Kushtetutës së Kosovës) u jep të drejtë palëve të autorizuara në cilësi të kërkesës individuale, por vetëm pasi t’i kenë shterrur të gjitha mjetet e brendshme. Po ashtu është neni 46/47 i ligjit për Gjykatën Kushtetuese i cili e përcakton edhe afatin. Pra, çështja e adresimit në Gjykatën Kushtetuese është edhe e drejtë individuale përkatësisht e individëve, por ata duhet të jenë palë të autorizuara dhe në këtë drejtim. Shoqatat duke mos qenë palë të drejtpërdrejta të involvuara…Në bindjen time edhe herave të kaluara Gjykata Kushtetuese ka pasur të adresuara të tilla të ngritura nga ana e shoqatave, por në mungesë të juridiksionit përkatësisht duke mos qenë palë të autorizuara kam përshtypjen nuk do të mund të lëshohet fare në shqyrtimin e tyre”, potencon Bajraktari.

Lidhur me këtë çështje, KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Departamentin për Drejtësi Tranzicionale dhe Mbështetje të Viktimave të Krimit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, dhe është në pritje të përgjigjes.

Exit mobile version