Telegrafi

Bejta Commerce i bashkohet aksionit humanitar të PTK-së

Tashmë numri i shtëpive që do të ndërtohen në kuadër të këtij projekti është ngritur nga 73 në 75, njoftoi drejtori i PTK-së Shqyqyri Haxha, duke sqaruar se realizimi i projektit do të fillojë shumë shpejt.

“Realizimi i projektit do të fillojë brenda një kohe shumë të shkurtër, ndërkohë që ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ekipe të caktuara të Qeverisë janë duke e bërë identifikimin e kategorive”, ka thënë Haxha me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes.

Kësaj ftese, të cilës tashmë iu janë bashkangjitur edhe kompania Lesna, Shoqata e Sigurimeve të Kosovës dhe NIC Holding, me shumë kënaqësi iu është bashkuar edhe kompania Bejta Commerce, ndërkohë që pronari i saj, Basri Kçiku ka shprehur gatishmërinë për ndihmë.

“Bejta Commerce me shumë kënaqësi i bashkohet iniciativës shumë të qëlluar të PTK-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke dhuruar zhavorr për betonimin e 45 shtëpive për kategoritë e rrezikuara.”, ka thënë Kçiku, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me PTK.

Projekti i iniciuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me përkrahjen materiale të PTK-së në vlerë prej 500 mijë eurosh, ka për qëllim ndërtimin e fillimisht 45 shtëpive, numri i të cilës tashmë ka arritur në 75 sosh, për kategoritë e të pa strehëve, invalidët e luftës, familjet me gjendje të rëndë sociale, viktimave të luftës dhe minoriteteve. /Telegrafi/