Site icon Telegrafi

Bëhuni gati për një finale spektakolare

Sigal Prishtina në gjysmëfinale eliminoi Trepçën me rezultat të lartë 71-51 dhe kështu e la Trepçën siç thotë populli “me gishta në gojë”, pasi mitrovicasit nuk do të marrin pjesë as në play-off.

Peja në anën tjetër mezi ia doli të kualifikohej në finale. Ajo mposhti Sigkos Bashkimin në sekondat e fundit me trepikëshin e Dardan Berishës, që edhe njëherë dëshmoi se është basketbollisti më i mirë kosovar.

Pritet që finalja do të jetë spektakël i veçantë, pasi që dy grupet e tifozerive, “Plisat” e Prishtinës dhe “Shqiponjat” e Pejës kanë paralajmëruar udhëtim masiv për në Prizren.

Sipas disa informatave që kemi, flitet se edhe Arpaxhikët e Bashkimit do t’i bashkohen Plisave në tifozllëk kundër Pejës. Plisat kanë bërë të ditur dje se do të udhëtojnë në Prizren me 12 autobusë.

Bardhekaltërve do t’iu mungojë plejmejkeri Alvin Snow i cili është i lënduar, teksa Pejës i është kthyer Blerim Mazreku, që pritet t’i hapë shumë probleme kryeqytetasve.

Terreni është neutral, do të ketë tifozë të të dyja taborëve dhe atmosfera do të jetë e zjarrtë – por, kush do të fitojë sipas jush? Shprehuni në hapësirën për komente…

/Telegrafi/

 

Exit mobile version