Telegrafi

Bëhuni gati për 3G, pa i ndryshuar pakot e internetit në mobil

Edhe pse së fundmi edhe PTK ka deklaruar se nuk do të mbesë shumë prapa konkurrentit të saj, pasi që edhe operatori publik është në proces të përgatitjes për 3G. Në deklarimet e mëparshme për media është thënë se përdoruesit e operatorit Vala do ta kenë 3G-në prej muajit mars të vitit të ardhshëm. 

Së fundmi, zyrtarët e PTK’së kanë deklaruar se operatori publik i telefonisë mobile është në proces të zhvillimit për 3G, mirëpo nuk kanë dhënë ndonjë datë të lansimit të 3G, ndërsa IPKO në anën tjetër ka kohë që është duke thënë se është gati për ta lëshuar 3G-në në rrjetin e saj mobil, prej datës 1 dhjetor.

Për të gjithë ata që nuk e dinë përfitimin direkt të rrjetit 3G në telefonat e tyre mobil, duhet të thuhet se 3G sjell internet shumë herë më të shpejtë në mobil, krahasuar me gjeneratën paraprake të internetit në mobil, rrjetit 2G.
Burimet e Telegrafi.com kanë mësuar se oferta e telefonisë mobile IPKO për 3G do të jetë e thjeshtë, pasi që të gjithë përdoruesve të saj të cilët përdorin internetin në mobil do tu ofrohet rrjeti 3G në pakot ekzistuese, pa pasur nevojë të bëjnë ndonjë aktivizim të caktuar në telefonin e tyre mobil.

Në përgjigjet e kompanisë IPKO për Telegrafin thuhet se aktualisht kompania nuk mundet ta zbulojë ofertën e saj për 3G, pasi që për këtë duhet pritur vetëm edhe disa ditë. “Për momentin, ne nuk mund t’i zbulojmë ofertat tona për 3G, sepse duhet të presim për prezantimin zyrtar të 3G-së” ka thënë Alban Kastrati, drejtues për marrëdhëniet me publikun në IPKO.

Mirëpo, Kastrati edhe një herë e ka konfirmuar se rrjeti 3G i IPKO-së fillimisht do t’i mbulojë qendrat kryesore të qyteteteve dhe qytezave të Kosovës, për tu zgjeruar më pas edhe në zonat tjera të banuara të vendit, dhe se pakot e internetit në mobil nga IPKO do të përditësohen automatikisht, pa pasur nevojë për ndonjë aktivizim.

Vendimi i ARKEP

Vendimi Nr. 400 e miraton liberalizimin e mëtutjeshëm të shërbimeve mobile brezëgjëra përmes lejimit të përdorimit të teknologjive të reja që mundsojnë shërbimet e avancuara mobile brezëgjëra, të njohura nga publiku si shërbimet e gjeneratave të reja të komunikimeve mobile, 3G dhe 4G.

Vendimi i Autoritetit, lejon dhe mundëson fillimin e ofrimit të shërbimeve mobile brezëgjera nga ana e operatorëve të rrjetave dhe shërbimeve publike mobile bazuar në aplikimin e parimit të neutralitetit teknologjik.

Lejimi i autorizuar përmes vendimit të Autoritetit, do jetë i plotfuqishëm dhe efektiv për shfrytëzim efektiv komercial me fillim nga data: 1 Dhjetor, 2013 për periudhat kohore të harmonizuara me kohëzgjatjen e mbetur të licencave në posedim nga operatorët mobil të licencuar nga Autoriteti. / Telegrafi /