Nga: Elmaz Fida
Një herë, një zonjë shumë e varfër, bashkë me të birin e saj shkojnë tek Gandi. Ata kishin ardhur nga një zonë shumë e largët dhe e shihnin Gandin si burrin e mençur dhe të urtë. Edhe vetë i biri i saj e donte shumë Gandin, për bëmat që kishte dëgjuar rreth tij. Me të hyrë brenda, zonja i tregoi se nga kishin ardhur dhe se donin një këshillë prej tij. I biri i saj hante shumë sheqer, gjë e cila mund t’i dëmtonte shëndetin. Ajo i kërkoi ta këshillojë sepse djali e donte shumë dhe do t’ia dëgjonte fjalën.
Gandi u shtir sikur ishte shumë i zënë dhe i tha: ”Më vjen keq, por hajde pas katër javësh se jam shumë i ngarkuar me punë!”
Zonja u mërzit nga kjo përgjigje e Gandit dhe i tha: ”More zotëri! Unë vij nga qoshi i dynjasë dhe ti më thua të vij pas katër javësh! Unë e shoh që shumë njerëz të tjerë të presin, por nuk dua më shumë sesa ta këshillosh tim bir që të mos konsumojë sheqer se do i marrë jetë!”
Gandi i tha: “Zonjë, merre djalin dhe hajde pas një muaji!”
Zonja u largua gjithë nerva, e vendosur për të mos ia parë më surratin atij njeriu të çuditshëm për të cilin ishin thurur kaq histori lavdie. Megjithatë, pas dy tre javësh, pasi u qetësua, vendosi ta marrë dhe një herë atë rrugë të gjatë dhe të lodhshme, aq më tepër që bëhej fjalë për shëndetin e të birit të saj.
Edhe pse ishte i rrethuar nga njerëz të shumtë, me ta dalluar, Gandi i thirri: “Hajde zonjë!” Pasi zonja dhe djali i saj u afruan, Gandi e pyeti: ”A je ti ajo zonja që kishte hallin e djalit që konsumonte sheqer pa hesap?”
Zonja iu përgjigj si e hutuar: ”Po, unë jam. Por, si më mbani mend?!”
Gandi iu drejtua djalit të saj dhe i tha: ”Dëgjo biri im! Të këshilloj si një baba, që të mos hash më sheqer! A ma jep fjalën që do e respektosh këshillën time?”
Djali me sy që i shkëlqenin për faktin se ishte takuar me Gandin, i tha: ”Po , të jap fjalën se nuk do të ha më sheqer.”
Para se të largohej, zonja i tha: ”Më ndjeni zotëri, por nuk po marr vesh asgjë. Përse nuk ia thatë këto dy fjalë para katër javësh?! Përse na rropate deri në qosh të dynjasë?!”
Gandi iu përgjigj: ”Katër javë më parë, unë e konsumoja si i babëzitur sheqerin. Edhe unë kisha të njëjtin problem me djalin tuaj, por nuk mund ta këshilloja djalin tuaj për diçka që e bëja vetë. Atë ditë vendosa të heq dorë nga konsumimi i sheqerit, me qëllim që pas katër javësh të kem energjitë dhe fuqinë e duhur që ta këshilloj tët bir. Unë doja të jem model me vepra, jo me fjalë. Sot, kur e këshillova tët bir, ndjehesha i fuqishëm dhe isha i bindur se do ma dëgjojë fjalën.”
/Telegrafi/