Telegrafi

Behgjet Pacolli i lumtur që Arton Zekaj ka zgjedhur Kosovën

Zëvendëskryeministri, Behxhet Pacolli, e ka pritur në një takim futbollistin më të ri që ka vendosur t’i bashkohet Kosovës.

Arton Zekaj ka lënë Serbinë që t’i mbrojë ngjyrat e Kosovës dhe për këtë Pacolli është shumë i lumtur.

“Kënaqësi e pafund që të vazhdojmë aty ku e la legjenda e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Para dy vitesh, Vokrri në emër të Kosovës iu pat drejtuar Arton Zekajt, ish-kapiten i U16 dhe U17 të Serbisë, duke e ftuar që t’i bashkohet kombëtares së Kosovës”.

“Artoni është aktiv në futboll që nga mosha 6 vjeçare, duke ju bashkuar në fëmijërinë e hershme Akademisë së Futbollit të Partizanit. Pas shumë kërkesave të shumë klubeve evropiane, Artoni i është bashkuar nënkampionit të Francës, Lille, përderisa FIFA ka lejuar që Artoni t’i bashkohet U21 të Republikës së Kosovës”.

“Tani është momenti që ky i ri, yll në ngritje, të shkëlqej në Lille, Francë, si dhe në vendin e tij Kosovën”.

“I ri, shtatlartë, i shpejtë, i fuqishëm, me talentin e rrallë në lojën në mesfushë, Zekaj do të jetë një shtyllë lidhëse mes mbrojtjes dhe sulmit të kombëtares sonë”.

“E falënderoj nga zemra që iu përgjigj ftesës së Legjendës Vokrri dhe pritjeve të futbolldashësve të Kosovës. Urime, suksese!”, thuhet në fjalët e Pacollit. /Telegrafi/