Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se bashkë me familjen e tij do të dhurojë 1 milion euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti në Shqipëri.
Ai ka thënë se është i tronditur pas dëmeve që ka parë në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri, transmeton Telegrafi.
“Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale. Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë #1milion Euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti”, ka shkruar ai në Facebook.
Pacolli ka thënë se ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt.
“Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur. Mbështetja ime për vëllezërit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet”, ka pohuar ai.
Pacolli ka thënë se pret që në mënyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë.
Ndryshe, nga tërmetet e fuqishme që kanë ndodhur në Shqipëri kanë humbur jetën 41 persona, dhe 750 persona tjerë janë lënduar./Telegrafi/