Site icon Telegrafi

Bëhet varrimi i policit Armend Trena (Video)

Me nderime shtetërore është varrosur në fshatin Begracë të Kaçanikut zyrtari policor Armend Trena, që u gjet i vdekur në lumin Lepenc pasi dyshohet se u aksidentua me veturë zyrtare së bashku me kolegun e tij Malsor Dashi.

Policët Armend Trena dhe Malsor Dashi kishin rënë më 28 prill në lumin Lepenc, teksa po udhëtonin me veturën zyrtare në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanik.

Trupi i Malsor Dashit ishte gjetur para 5 ditësh, përderisa trupi i Armend Trenës u gjet gjatë ditës së djeshme. Në ceremoninë e varrimit që kanë marr pjesë qindra qytetarë u lexua telegram ngushëllimi që ka dërguar  ministri i Punëve  të Brendshme  Bejtush Gashi.

Në këtë telegram thuhej se Armend Trena kishte shërbyer me dinjitet dhe që kishte dhënë një kontribut të veçantë në Policinë e Kosovës.

“Ministria e Punëve të Brendshme në krye me ministrin Bejtush Gashi me pikëllim të thellë pranoi lajmin për fatkeqësinë dhe ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Armend Trena, i cili me 28 prill 2018 në rrugën magjistrale Hani i Elezit-Kaçanik përderisa ishte në kryerje të detyrës zyrtare së bashku me kolegun e tij ishin përfshirë në një aksident trafiku. Armend Trena ka shërbyer me dinjitet dhe krenari duke dhënë një kontribut të veçantë në Polici e Kosovës në interes të vendit dhe qytetarëve të Kosovës. MPB do ta përkujtoj çdo herë si një punonjës të dalluar me ambicie të larta për t’i shërbyer vendit në interes të sigurisë dhe rendit publik”, thuhej në telegramin e MPB-së.

Ngushëllime për vdekjen e zyrtarit policor ka shprehur edhe nënkryetari i komunës së Kaçanikut, Ylber Bajra, i cili tha se është shumë e vështirë të ndahesh nga koleg shembullor.

“Momente si kjo ceremoni e varrimit janë të dhimbshme, sepse sot po ndahemi nga biri, vëllau, shoku e miku, ndërsa Policia e Kosovës nga kolegu shembullor i cili i shërbeu vendit me devotshmëri dhe përkushtim. Edhe Armendi mu sikur Malësori të rinj me plot përkushtim për punën e kishte vendosur që tërë vullnetin dhe zotësinë që ia kishte dhuruar jeta ta kthente në shërbim të atdheut”, tha ai, raporton KP.

Ndërsa,  Jaser Jaha nga stacioni i Policisë në Kaçanik, tha se Armendi po ikën në momentin që më së shumti i duhej familjes, shërbimit dhe atdheut.

“Është tepër e vështirë dhe shumë e dhimbshme kur kolegët pësojnë në krye të detyrës. Por ne duhet të qëndrojmë të fortë dhe të përpiqemi të ndjekim shembullin e mirë të përkushtimit të kryerjes së detyrave dhe obligimeve që kemi ndaj shërbimit dhe ndaj të gjithë qytetarëve tanë për ruajtjen e paqes dhe qetësisë… Shembulli i Armendit le të na shërbejë si udhërrëfim të gjithë neve se si duhet shërbyer për atdheun. Ai ishte polic shumë i mirë gjithnjë i përgjegjshëm dhe i palodhshëm”, tha ai.

Jaha tha se shembulli i kolegëve të përkushtuar si Armendi dhe Malësori duhet të jenë udhërrëfim se si kryhet me nder dhe devotshmëri misioni dhe detyra e policit shembullor.

Ai ka falënderuar të gjithë që janë angazhuar gjatë aksionit të kërkim – shpëtimit në gjetjen e kolegëve të tij.

Zyrtari policor Armend Trena kishte shërbyer qe 5 vite në Policinë e Kosovës. Në ceremoninë e varrimit prezent ishte edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu dhe shumë personalitete të tjera. Po ashtu, përveç familjarëve dhe miqve morën pjesë edhe shume qytetarë.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme Kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhje të Qeverisë ka ndarë nga 10 mijë euro për familjet  Trena dhe Dashi. /Telegrafi/

 

Exit mobile version