Sot është bërë shugurimi i katedrales “Shën Nëna Terezë” në Pruishtinë, në prani të dërguarit të posaçëm të Papa Françeskut, kardinalit Ernest Simoni.
Në ceremoninë e shugurimit ka marrë pjesë edhe përfaqësues të Ipeshkvisë, familja Rugova, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë Isa Mustafa etj.
Thaçi ka kujtuar veprën e Nënë Terezës, duke e quajtur simbol të mirësisë dhe dashurisë.
“Një vjet më parë, mora pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë nga Papa Francesku, në Vatikan. Si simbol i mirësisë, dashurisë dhe solidaritetit me njerëzit e vuajtur, Shën Tereza promovoi vlerat tona në gjithë globin. Sot po festojmë dyfish: njëvjetorin e shenjtërimit të Shën Terezës dhe shugurimin e Katedrales në Prishtinë, që mban emrin e saj”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Edhe Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës në orët e mëngjesit ka folur për atmosferën, ceremoninë nga Shugurimi i shenjtores dhe katedrales, “Shën Nënë Tereza”, me rastin e 20 vjetorit të vdekjes së shenjtores e nobelistes së paqes.
Ai tha se Gonxhe Bojaxhiu është një figurë që e do gjithë bota dhe për ne është një shqiptare e madhe.
“Për shugurimin e katedrales ‘Shën Nëna Terezë’ ka një interesim të madh nga mbarë bota. Papa Francesku na ka nderua, sepse për këtë ditë historike ka dërguar një figurë shumë të lartë nga Vatikani, figurë të posaçëm, siç është kardinali, Ernest Simoni”, ka thënë Don Lush Gjergji. /Telegrafi/