Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, ka njoftuar se SHBA-ja ka miratuar kërkesën që t’i shesë Kosovës raketa “Javelin”.
Me këtë rast, thuhet, ambasadori Hill e ka njoftuar presidentin Vuçiq për vendimin amerikan që të pranojë kërkesën e Prishtinës për blerjen e raketave antitank “Javelin”.
Por, presidenti Vuçiq tha në të njëjtën kohë se ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë, por edhe se Serbia së bashku me SHBA-në do të punojnë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane.
Për këtë kanë raportuar edhe mediat rajonale, titujt e të cilave i ka përmbledhur “Danas”.
“Çfarë goditje nga Amerika për Serbinë: ambasadori amerikan bëri një vizitë të jashtëzakonshme te Vuçiq dhe i tha lajmin që e tronditi”, shkruan Slobodna Dalmacija.
“Arma antitank FGM-148 ose ‘Javelin’ është një sistem raketor amerikan i drejtuar, i cili, falë përdorimit të një kamere termografike për vetëdrejtim, funksionon në parimin e ‘ndiz e harro’. Kjo armë ishte një nga më vendimtaret në luftën ruso-ukrainase. Ukrainasit e përdorën atë për të shkatërruar qindra tanke dhe automjete të blinduara ruse, bunkerë, ndihmoi shumë që të parandalonin ushtrinë ruse të shkelë Ukrainën. Dhe tani ato raketa vdekjeprurëse dhe ‘të mençura’ po mbërrijnë në Kosovë”, shkruan Slobodna Dalmacija, transmeton Telegrafi.
“U bë realitet makthi i Vuçiqit: Departamenti Amerikan i Shtetit ka marrë një vendim kyç, është miratuar shitja e raketave të fuqishme Kosovës…” shkruan Slobodna Bosna.
Siç shton ky portal, Departamenti i Shtetit njoftoi se SHBA-ja vazhdon të mbështesë plotësisht tranzicionin transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një forcë shumëetnike të mbrojtjes territoriale nën standardet e NATO-s dhe mbikëqyrjen civile.
Portali kroat Index raporton se Pentagoni ka miratuar shitjen e raketave “Javelin” Kosovës.
Reuters kujton, raporton Index, se Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, se ajo u njoh nga më shumë se 110 vende, se shumica dërrmuese e 1.8 milionë banorëve janë shqiptarë etnikë, ndërsa rreth 50,000 serbë në veri të vendit refuzojnë shtetësinë e Kosovës dhe shpesh përplasen me policinë e Kosovës dhe trazirat u intensifikuan në fund të vitit të kaluar.
“Kosova blen raketa amerikane”, është titulli tekstit të portalit Vijesti të Podgoricës.
“Vuçiq i tha ambasadorit amerikan se ky informacion është një zhgënjim i madh, por se Serbia do të punojë për të ruajtur marrëdhëniet me Uashingtonin”, raporton Vijesti. /Telegrafi/