Kryeprokurori i deritanishëm i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ia ka dorëzuar detyrën ushtruesit të detyrës kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit, ku morën pjesë edhe kryesuesi, zëvendës-kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe U.D. Drejtori i Sekretariatit të KPK-së, kryeprokurori i deritanishëm Lumezi, i ka uruar suksese dhe Kelmendit, në ushtrimin e detyrave kushtetuese dhe ligjore gjatë udhëheqjes së institucionit të Prokurorit të Shtetit.
Ndërsa, siç thuhet në njoftim ushtruesi i detyrës së kryeprokurori Kelmendi ka falënderuar Kryeprokurorin e deritanishëm, Aleksandër Lumezi, për punën, angazhimin dhe profesionalizmin e treguar përgjatë ushtrimit të mandatit kushtetues si Kryeprokuror i Shtetit i Republikës së Kosovës.
Ky pranim-dorëzim vjen pas përfundimit të mandatit kushtetues shtatë vjeçar të Kryeprokurorit të deritanishëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ishte emëruar në këtë pozitë më 21 prill 2015.
Ndryshe, më 6 prill Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar në mënyrë unanime Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Lidhur me këtë votim të KPK-së, janë shprehur të pakënaqur ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, si dhe OJQ-të në Kosovë.
Megjithëse ishte bërë thirrje për një proces të drejtë dhe meritor, ambasadorët e huaj në Kosovë dhe shoqëria civile kanë deklaruar se KPK i ka shpërfillur këto parime.
Ndërkaq, të enjten e 21 prillit, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka caktuar Besim Kelmendin si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
Në mbledhjen e KPK-së është vendosur që Kelmendi ta ushtrojë këtë detyrë deri në një vendim të ri të këtij institucioni.
Caktimi i ushtruesit të detyrës erdhi pasi ka përfunduar mandati kryeprokurorit aktual të shtetit, Aleksandër Lumezi. /Telegrafi/