Në një ceremoni rasti është bërë përurimi i repartit të konstruksioneve metalike “IMK Steel Construction” pjesë e grupit Mabetex.
IMK Steel Construction tashmë ka vendosur vulën e profesionalizmit të saj në tregjet rajonale, europiane e deri në ato aziatike.
Në ceremoninë solemne të pranishëm ishin edhe fytyra publike të sferave të ndryshme.
Gjatë përurimit mori fjalën e rastit edhe presidenti i Mabetex Group, Behgjet Pacolli i cili tha se: “IMK vie në kohën kur ndërtimet nga konstruksionet metalike janë të domosdoshme dhe është i paimagjinueshëm ndërtimi pa përdorimin e këtyre konstruksioneve metalike”.
Po ashtu në këtë ceremoni u shpreh edhe drejtori ekzekutiv i “IMK Steel Construction”, Feti Selmani i cili tha se: “Ky investim është prej më te nevojshmëve dhe të duhurve duke pasur parasysh avancimin e teknologjisë në fushën e konstruksioneve metalike dhe IMK Steel Construction duke pasur në dispozicion ekspertizën dhe pajisjet e fjalës së fundit bën diferencën në shërbimet e ofruara nga kjo fushë”.
Reparti i konstruksioneve metalike “IMK Steel” si pjesë e Mabetex Group ka filluar veprimtarinë në fillim të vitit 2016 dhe ofron shërbime të inxhinierisë, prodhimit dhe montimit të konstruksioneve metalike për objekte komerciale, stadiume, ura, objekte sportive, rezerva të derivateve, kulla të telekomunikacionit dhe gjen përdorim edhe në shumë fusha të tjera.
Ky repart posedon teknologjinë e fjalës së fundit dhe të softwarëve të avancuar si Allplan, Tekla, Midas, Cinema 4D dhe CNC.
IMK Steel aktualisht operon suksesshëm me tre reparte.
Atë të prodhimit të konstruksioneve metalike të lehta, prodhimin e konstruksioneve metalike me pesha mesatare dhe prodhimin e konstruksioneve metalike të peshave të rënda.
Parashihet që ky repart i konstruksioneve të metalit të zgjerojë gamën e shërbimeve të tyre duke i përmbushur në vazhdimësi standardet më të larta të prodhimit të konstruksioneve të metalit.