Telegrafi

Bëhet e ditur se përse lojtarët e ShBA-së qëndruan në rreth, pas eliminimit nga Holanda

Pas eliminimit të ShBA-së nga Kampionati Botëror nga Holanda të shtunën e kësaj jave, disa lojtarë qëndruan në fushë për të ‘reflektuar mbi udhëtimin’.

Skuadra e Gregg Berhalter u mund 3-1 në 1/8 e finales nga Tulipanët pasi Memphis Depay, Daley Blind dhe Denzel Dumfries ishin të gjithë në listën e realizatorëve, ndërsa për amerikanët shënoi Haji Wright.

Ndërsa humbja eliminoi amerikanët – një goditje shkatërruese për shpresat e tyre për përparim të mëtejshëm – ajo tregoi premtimin e përmirësimit në një skuadër që hyri në Botëror si e dyta më e reja me një moshë mesatare 25.2 vjeç.

Pas humbjes, pesë lojtarë dolën në fushë, folën me njëri-tjetrin, u ulën në një formë rrethi në bar dhe u lutën së bashku.

Anësori Timothy Weah, mbrojtësi i djathtë DeAndre Yedlin, qendërmbrojtësi Aaron Long dhe mesfushori dhe kapiteni Tyler Adams u panë duke dalë në fushë së bashku pas përfundimit të ndeshjeve – duke folur me njëri-tjetrin.

Më vonë, portieri rezervë Sean Johnson u bashkua me ta, duke u ulur në rreth me ta.

Kamerat më pas kapën Johnson, Long, Weah dhe Yedlin duke qëndruar së bashku dhe duke u lutur me njëri-tjetrin.

Pas ritualit të tyre, Yedlin foli për FOX Sports dhe shpjegoi se seancat e “tokësimit” e vendosën humbjen në perspektivë.

“Ne thjesht po i vendosnim gjërat në perspektivë dhe po reflektonim për udhëtimin dhe thjesht po falënderonim Tokën”, deklaroi Yedlin.

“Thjesht ndihmon në vendosjen e perspektivës së jetës, e mirë apo e keqe. Është diçka që unë e kam bërë për një kohë. Ne disi e prezantuam atë në ekip dhe djemtë e kanë pëlqyer”.

“Pra, ne thjesht po përpiqemi ta vazhdojmë. Sidomos në një kohë si kjo, ku mund të jetë e vështirë të vendosësh perspektivë në jetë dhe të kuptosh se nuk është gjithçka”, ka shtuar ai.

Pasi hynë në fazën eliminatore si skuadra e vetme që nuk pranoi gol nga loja e hapur, Shtetet e Bashkuara lejuan holandezët të shënonin tre gola, me fajtorët kryesorë që ishin lojtarët që nuk markuan lojtarët e Holandës.

Pavarësisht se fundi i rrugës vjen më shpejt nga sa priste ShBA-ja, mund të jetë një shenjë se ky grup mund të performojë më mirë në vitin 2026. /Telegrafi/