Telegrafi

Bëhen gati “Dasma kërçovare” dhe “Dyzërëshi”

Këndimi Dyzërësh dhe tradita e Dasmës kërçovare janë dy prej trashëgimive të kulturës shqiptare që pritet t’i shtohen regjistrit nacional të thesareve në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA.

Ky Regjistër në fakt numëron shumë pak thesare për pjesën shqiptare, si Festa e verës, Pelihvanët, Karnavalet e Bozovcës, janë disa prej tyre që kanë kaluar procedurat në Drejtorinë e Mbrojtjes së Trashëgimisë. Kështu pohojnë ekspertë të kësaj sfere, me rastin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë, 29 shtatorin.

Drejtori i ITSHKSH, Skënder Hasani, thotë se me përgatitjen e këtyre dy dosjeve synojnë të sistemojnë jo vetëm atë pjesë të trashëgimisë që është pjesërisht e hulumtuar, por të ruajnë nga zvetënimi edhe traditat, si në rastin e dasmës kërçovare, e cila konsiderohet si një prej ceremonive shumë origjinale sa i takon kostumeve karakteristike, stolive, traditës dhe ritit në përgjithësi.

Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, 29 shtatori, është një prej datave më të reja që kanë hyrë në kalendarin e festave kombëtare dhe festohet prej 13 vjetësh në Shqipëri, ku kujtohet me respekt trashëgimia kombëtare.

Në themel të kësaj dite qëndron akti patriotik dhe atdhetar i një grupi ushtarakësh të cilët në vitin 1916, gjatë Luftës së parë botërore, ndaluan plaçkitjen dhe vjedhjen e objekteve arkeologjike të parkut të Apolonisë. /Telegrafi/