Dëshmori i kombit gjeneral Adrian Krasniqi ka rënë heroikisht më 16 tetor të vitit 1997, gjatë një sulmi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në stacionin e policisë serbe, në Kliçinë, në afërsi të Pejës, e cila ishte një pikë strategjike e forcave policore dhe ushtarake serbe.
Adrian Krasniqi ka qenë student i fakultetit Ekonomik të UP-së dhe ishte një nga celulat e para të UÇK-së me gradën e komandantit të logjistikës në nivel të SHP të UÇK-së, ndërsa gradën gjeneralmajor e mori pas vdekjes.
Ishte ndër luftëtarët e guximshëm që i dhanë goditjen regjimit serb në kohën kur gjithçka mohohej dhe kur çdo e drejtë njerëzore ishte e parealizueshme gjatë okupimit gati 90 vjeçar të Kosovës nga pushtuesit serb e cila rezultoi më çlirim më 12 qershor 1999.
Me rastin e 12 vjetorit të rënies heroike të Adrian Krasniqit, në Pejë është ngritur shtatorja e skalitur në bronz prej skulptorit të njohur nga Tirana, Mumtas Dhrami.
Në 17 vjetorin e rënies është emetuar pulla postare në emër të dëshmorit Gjeneral Adrian Krasniqi, nga Posta e Kosovës, shkruan KosovaPress.
Kjo pullë postare është vlerësuar si një akt i veçantë nga familjarët, pasi pulla postare do të udhëtojë edhe jashtë trojeve shqiptare, në mënyrë që të bartet imazhi dhe historia e veçantë që kanë bërë dëshmorët e kombit.
Dëshmori i kombit gjeneral Adrian Krasniqi është lindur më 11 tetor të vitit 1972. Ai ka rënë heroikisht më 16 tetor të vitit 1997, gjatë një sulmi të UÇK-së në stacionin e policisë serbe, në Kliçinë, në afërsi të Pejës, e cila ishte një pikë strategjike e forcave policore dhe ushtarake serbe dhe është ushtari i parë i renë më uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /KP/