Sot bëhen 17 vjet nga masakra që ndodhi natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, me ç’rast ‘Rojat e urës’ vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq, plagosën shumë të tjerë, ndërsa dëbuan rreth 12 mijë banorë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.
Plaku 75 vjeçar, Shaip Canhasi nga Mitrovica, i cili jeton i vetmuar prej kohës kur ia vranë gruan, ka bërë të ditur për KosovaPress se që 17 vjet rresht në këtë ditë viziton varrin e bashkëshortes së tij.
Ai ndjehet i lodhur dhe i mërzitur, përton të flasë, sepse preket shumë dhe përjeton rëndë.
Megjithatë, ky njeri i moshuar, me gjithë përjetimet e rënda, ka gjetur forcë dhe nuk është dorëzuar. Ai tregon vullnet për jetën, ndërsa nuk dëshiron të përkujtoi atë natë tmerri.
“Jam lodhur e mërzitur dhe nuk kam guxim të hyj shumë thellë për ta rikujtuar atë natë. Nga mërzia dhe sëmundja më duhet të përdor rregullisht hapa”, thotë Canhasi.