Site icon Telegrafi

Begaj: Me investime në serra, synohet mbulimi i tregut me perime vendore

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i shoqëruar nga drejtori për bujqësi, Hajrullah Mazreku, sot kanë vizituar disa nga fermerët, përfitues të serrave, donacione të Komunës së Malishevës. Me këtë rast kryetari Begaj, i ka uruar fermerët malishevas, për angazhimin e tyre në bujqësi, përkatësisht në kultivimin e perimeve, duke premtuar vazhdimin e mbështetjes së komunës për bujqit.

“Me angazhimin tuaj ju e ndihmoni, jo vetëm veten tuaj, por e ndihmoni vendin. Pse të mos kemi në tregun tonë perime të kultivuara këtu? Pse të importojmë nga vendet tjera, domate, speca, tranguj e perime tjera, kur i kemi të gjitha mundësit që këto ti rrisim këtu? Këto janë pyetje që duan përgjigje nga institucionet, të cilat duhet ti hartojnë politikat zhvillimore. Për këtë qëllim, ne si komunë, edhe pse me buxhet të kufizuar, do ti përkrahim bujqit vendor”, tha Begaj, gjatë vizitave të tij në Mleqan, Panorc dhe Llapqevë, ku i ka vizituar disa fermer të suksesshëm, të cilët kanë përfituar nga donacionet e komunës, për ngritjen e serrave.

“Synim i imi është që deri në fund të mandatit tim, të arrij ti përkrahi bujqit, përkatësisht kultivuesit e perimeve, në mënyrë që ne të arrijmë ta mbulojmë tregun në Malishevë, me perime të cilat kultivohen brenda Komunës së Malishevës”, tha kryetari Begaj.

Drejtori për bujqësi, Mazreku, tha se “drejtoria që drejton, është e angazhuar maksimalisht, që ti përkrahë fermerët dhe për këtë, kemi edhe përkrahjen e kryetarit Begaj, pasi bujqësia, është dega kryesore e zhvillimit ekonomik”.

Ndërsa fermerët të cilët janë përfitues të donacionit për ndërtimin e serrave, e kanë falënderuar kryetarin Begaj dhe Komunën, për përkrahje në ndërtimin e serrave dhe rrjedhimisht edhe zbutjen e papunësisë, pasi serrat e mëdha, kërkojnë edhe krah pune.

Drejtori Mazreku, ka bërë të ditur, se Komuna e Malishevës, ka përkrahur fermerët, në ndërtimin e pesëmbëdhjetë serrave, me bashkëfinancim, ku shtatëdhjetë për qind t shumës, e ka mbuluar komuna, ndërsa tridhjetë për qind, fermerët. I gjithë investimi kap një shumë prej afro 36 mijë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version