Tafë Maloku, gjyshi i Xhisielës, tregon historinë e dashurisë mes dy të rinjve dhe nuk nguron të shprehë dëshirën e tij që një ditë ata të lidhen në martesë.
Në banesën në fshatin Zezë të Fushë-Krujës, u rrit dhe jeton Xhisela Maloku. Në kushte të vështira ajo ka përballuar jetën prej 20 vjetesh, vetëm më nënën dhe motrën e saj më të vogël, ku varfëria dhe skamja mbizotëron kudo.
ABC News pa nga afer banesen e saj. Gjyshi i saj, Tafë Maloku, në gjendje të vështirë emocionale tregohet i gatshëm për të na pritur dhe për të na treguar historinë siç ai e di.
“Kam qenë në Itali se isha verbuar nga sytë dhe shkova bëra një operacion. Kam ardhur dhe e kam takuar dhe ç’kam pasur ndonjë lek ua kam çuar, por këtë muhabete se kam ditur. Unë tani kam ardhë nga Italia”, thotë Tafë Maloku.
I moshuari kërkon që politika të mos përfshihet në këtë histori.
“Politikanët mos të bëjnë grindje njëri me tjetrin. Ndodhi ajo që ndodhi. Unë e falenderoj, as se shaj Bashën as Sali Berishën. Kanë marrë vesh për një qëllim dhe kanë thënë që është jetime. Mirëpo tani të rinjtë nuk e di se ça bëjnë.”
Gjyshi i Xhisielës shpreson që historia e dashurisë ndërmjet mbesës së tij dhe Rexhepit të kurorëzohet me një fund të lumtur.
“Ishalla bashkohen ta marri se s’është punë burgu. Burgu s’është asnjë gjë se s’ka vrarë njeri. As ai s’ka vrarë njeri as goca ime s’ka vrarë njeri. Janë ngatërruar, se janë duke harruar të mëdhenjtë”.
Xhisiela Maloku është marrë në mbrojtje nga policia, pavarësisht se ajo nuk e ka kërkuar atë. Megjithatë, pranë shtëpisë ku banon 25 vjeçarja, paraditen e së martës ABC News nuk vuri re praninë e uniformave blu. Po ashtu edhe ditën e hënë, gjatë lëvizjes së saj në Tiranë ku dha disa intervista në dy televizione, Xhisiela Maloku nuk është shoqëruar nga efektivë policie.