Malazezët e nisën diçka më mirë çerekun e parë të ndeshjes duke pasur edhe përkrahjen e shikuesve të tyre, mirëpo bardhekaltërit nuk lejuan shkëputje të madhe në rezultat.
Basketbollistët e Teodos përfituan nga goditjet prej tre pikë ku vetëm gjatë pjesë së parë qëlluan 5 prej tyre, teksa prishtinasit shënuan vetëm një herë nga shumë tentime, mirëpo ishin më precizë se kundërshtarët nga afërsia. Një lojë e barabartë nga të dyja palët deri në ato momente bëri që pjesa e parë e takimit të mbyllej me rezultat 38-36 në të mirë të vendasve.
Është e pashpjegueshme se çfarë ndodhi me Sigal Prishtinën në fillim të çerekut të tretë, pasi që brenda pesë minutash pësuan një seri prej 17-3 nga kundërshtarët malazez, për ta përmbyllur më pas çerekun me vetëm 10 pikë të shënuara, e rezultati në tabelë tregonte 14 pikë epërsi për Teodon, 60-46.
Sidoqoftë, në çerekun e katërt bardhekaltërit u rikthyen furishëm në lojë dhe realizuan një seri të mirë prej 11-2, mirëpo vendasit përsëri u rikthyen në lojë përmes lojtarit kryesor të ndeshjes së sotme, Savo Djikanovic, i cili ishte thjeshtë i pandalshëm. Përkundër përpjekjeve të mëdha, skuadra nga kryeqyteti nuk ia arriti ta kthente rezultatin në të mirë të tyre dhe kështu u mposht me rezultat, 76-70
Është interesant fakti që edhe pas kësaj humbjeje, Sigal Prishtina ka arritur ta marrë primatin në Ligën Ballkanike, duke kryesuar kështu në tabelë me 19 pikë të tubuara, ndërsa Teodo mbetet në pozitën e fundit me 16 pikë. /Telegrafi/
Koshashënuesit më të mirë të Teodos: | ||
1 | S. Djikanovic | 26 pikë |
2 | M. Johnson | 17 pikë |
3 | N. Korac | 10 pikë |
4 | N. Vucurovic | 9 pikë |
Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës: | ||
1 | D. Berisha | 20 pikë |
2 | K. Jones | 15 pikë |
3 | K. Wesson | 12 pikë |
4 | A. Kieza | 10 pikë |