Telegrafi

Befasohet Llapi, mposhtet në shtëpi nga Drenica me rezultat bindës

Foto: KF Llapi/Facebook

Drenica e ka mposhtur 2-0 në udhëtim Llapin në kuadër të javës së 24-të në Superligën e Kosovës.

Skuadra nga Skenderaj e filloi mjaftë furishëm takimin, duke rrezikuar disa herë portën e vendasve, derisa ia arritën qëllimin nga ky angazhim i madh.

Në minutën  e 28-të, Drenica fitoi një penallti, të cilën në gol e konvertoi Alban Shillova.

Tre minuta pa përfunduar koha e rregullt e pjesës së parë, Shillova edhe një herë u shfaq në listën e realizatorëve, duke dyfishuar epërsinë.

45 minutëshi i dytë ishte më i qetë, pasi gol nuk pati mirëpo rastet nuk munguan.

Llapi tentoi të rikthehej në lojë, mirëpo goditjet e Mentor Zhdrellës e Jasmin Raboshtas i priti portieri Arion Ymeri.

Drenica më pas u fokusua më shumë në pjesën defanzive, duke ruajtur kështu rezultatin e që mori tri pikë mjaftë të vlefshme edhe pse Llapi fitoi një penallti në minutën e 86-të, por Labinot Osmani gjuajti mbi portë.

Pas javës së 24-të, Llapi gjendet në pozitën e gjashtë me 37 pikë, tri më shumë se Drenica që është në vendin e shtatë. /Telegrafi/