Një nga befasitë më të mëdha të këtij edicioni është pjesëmarrja e legjendës së humorit shqiptar, Gent Hazizi, i njohur për rolet e tij të spikatura në spektaklin e humorit “Portokalli”.
Gent Hazizi do të performojë të shtunën më 19 nëntor, duke zëvendësuar aktorin e paralajmëruar më herët, Dario Haruni, i cili është tërhequr nga festivali për shkak të disa problemeve shëndetësore.
Në një video-mesazh të publikuar në Instagram, Gent Hazizi ftoi të gjithë shqiptarët që jetojnë në Zvicër dhe zonat përreth të mos mungojnë në këtë event të rëndësishëm:
“Të dashur bashkëkombës që jetoni në Zvicër, në datë 19 nëntor do jemi në ‘Zurich Shqip Up Comedy Festival’. Jam shumë i kënaqur që po vij, pavarësisht se ftesa erdhi në momentet e fundit, por do t’ia dalim. Ju pres të gjithëve që të vini të kalojmë një natë të këndshme, të qeshim e të kërcejmë”.
Për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij eventi unik, biletat janë ende në shitje dhe mund të blihen KËTU. Ky festival premton net të paharrueshme humori dhe argëtimi për komunitetin shqiptar në Zvicër.
Edicioni i tretë i festivalit “Zurich Shqip Up Comedy” zhvillohet për herë të parë në dy netë, të cilat do të mbahen në “Stadthalle Dietikon” të Cyrihut. /Telegrafi/