Site icon Telegrafi

Beer Sheva turpëron dhe eliminon Interin (Video)

Skuadra italiane Inter është eliminuar nga Liga e Evropës pas humbjes në udhëtim tek Hapoel Beer Sheva.

Inter kishte epërsinë prej dy golave në pjesën e parë por në fund humbën 3-2 për tu eliminuar nga Liga e Evropës.

Mysafirët e nisën më mirë ndeshjen dhe që nga minuta e parë e saj tentuan golin e epërsisë.

Nuk kaluan më shumë se 13 minuta kur Inter shënoi golin e epërsisë, falë një kombinimi të bukur mes Eder dhe Icardi ku ky i fundit shënoi për 0-1.

Edhe pas golit të epërsisë, Inter vazhdonte të sulmonte vendasit.

Në minutën e 25-të një aksion i ndërtuar mirë nga mysafirët solli edhe golin e dytë në këtë sfidë.

Eder ishte përsëri ai që asistoi, ndërsa kroati Marcelo Brozovic shënoi një gol të bukur për 0-2.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi të dy golave për ‘Nerazzurrët’.

Por në pjesën e dytë vendasit e Hapoel Beer Sheva treguan një fytyrë krejtësisht tjetër.

Ishte minuta e 58-të kur sulmuesi Lucio Maranhao ngushtoi epërsinë në 1-2.

Por në minutën e 69-të, portieri Samir Handanovic shkaktoi penallti dhe u përjashtua nga ndeshja.

Për ta barazuar rezultatin në 2-2 nga pika e bardhë u përkujdes nigeriani Anthony Nwakaeme.

Pas kësaj humbje Inter mbetet në pozitën e fundit në Grupin K me tri pikë dhe eliminohet në mënyrë të turpshme nga Liga e Evropës.

Ndërkohë Beer Sheva shpreson në një rezultat pozitiv në udhëtim tek Southampton për të kaluar tutje. /Telegrafi/

Exit mobile version