Ish-mesfushori i Real Madridit, David Beckham, ka deklaruar se klubi mbretëror duhet të mbajë trajnerin Zinedine Zidane.
43-vjeçari Zidane mori përgjegjësinë në Bernabeu në janar dhe tani spekulohet se presidenti Florentino Perez do ta përjashtojë nëse “Los Blancos” nuk fitojnë në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Atletico Madridit më vonë gjatë muajit.
Gjithsesi, Beckham thotë se Realit i duhet stabilitet dhe kjo duhet t’i besohet Zidanet.
“Madridit i duhet stabilitet dhe vazhdimësi. Është mirë për Zidanen të qëndrojë këtu dhe t’i mbajë lojtarët që ka tani”, ka thënë anglezi për “XL Semanal”.
“Edhe nëse nuk e fitojnë Ligën e Kampionëve ata duhet t’i japin një shans dhe ta lënë të punojë. Stabiliteti është qenësor, është baza e të gjitha gjërave në jetë dhe biznes”, ka shtuar ish-mesfushori i Manchester Unitedit.