Telegrafi

“Bechtel” merr edhe 70 milionë euro për rrugën Durrës-Kukës

Rruga vazhdon të vjelë miliarda lekë nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë dhe kur mbyllet viti i katërt i punimeve, sërish do të dalin nga arka e shtetit dhjetëra milionë lekë të tjera.

Kështu, për vitin e ardhshëm “Rrugës së Kombit” i janë akorduar nga buxheti edhe rreth 70 milionë euro. Kur punimet kanë kohë që kanë përfunduar, pasi janë kryer edhe disa inaugurime, mbetet i pakuptimtë fakti se përse janë vendosur në buxhet shifra të konsiderueshme për ndërtimin e rrugës. I pyetur nga gazeta “Shqip”, drejtori i investimeve në Ministrinë e Financave, tha se janë para të vendosura për punimet që janë kryer, të cilat do t’i jepen kompanisë në çastin e mbylljes së kontratës.

Kështu, mësohet se qeveria shqiptare dhe kompania amerikane “Bechtel” pritet të mbyllin kontratën dhe likuidimin final të faturave në janar të vitit që vjen, nga ku do të dorëzohet edhe çeku i fundit prej rreth 70 milionë eurosh.

Rruga që do të mbahet mend gjatë për kapacitetin e punimeve dhe për vlerat e larta financiare, u ndërtua nga kompania amerikane “Bechtel”, në bashkëpunim me partnerin turk “Enka”, e më pas në të u përfshinë edhe shoqëri të tjera, sikurse ishin sllovakët të kontraktuar për sigurimin dhe menaxhimin e tunelit, kurse kompanitë italiane dhe franceze mbuluan supervizimin e punimeve. /Telegrafi/