Telegrafi

“Bechtel-Enka” kërkon 600 milionë euro për autostradën e Kosovës

Këto dy kompani janë të vetmet që kanë konkurruar në tenderin e ndërtimit të autostradës së Kosovës. Pesë kompanitë e tjera të cilat janë përzgjedhur në listën e ngushtë nga kompania konsulente e përzgjedhur nga MTPT-ja, “Every Shids”, nuk kanë paraqitur letrat financiare në Ministrinë e Transportit.

Burime të gazetës brenda kësaj ministrie kanë konfirmuar se oferta e kompanisë “Strabag” ka qenë mbi 1 miliard euro.

Ndërsa konsorciumi amerikano-turk ka paraqitur dy oferta të ndara në letrat financiare që i ka dorëzuar në (MTPT), vlerat e të cilave janë gati përgjysmë më të favorshme.
“Bechtel Enka” sipas dokumenteve që i ka dorëzuar në Ministrinë e Transporteve është e gatshme që me afro 600 milionë euro t’i kryejë punimet nëse traseja e autostradës i bie nëpër Qafën e Duhlës, dhe prej aty nëpërmjet tunelit lidhet me Prizrenin. Ndërsa nëse anashkalohet ky tunel dhe traseja e autostradës i bie nëpër fshatrat Komoran – Arrlat dhe nga aty dilet në Pejë, atëherë kjo kompani do ta ndërtonte komplet autostradën për një çmim prej afro 500 milionë eurosh.

“Është duke u shqyrtuar se cila ofertë e kësaj kompanie do të jetë më e favorshme për ministrinë”, ka deklaruar një burim i gazetës.

Tunelet dhe urat e Qafës së Duhlës në Komunën e Suharekës ishin vlerësuar problematike edhe nga ministria e transporteve, meqë sipas tyre rrisin koston financiare. Në këtë pjesë është shqyrtuar mundësia e lëvizjes së trasesë së autostradës, pasi në atë komunë duhet të ndërtohen diku rreth 20 ura dhe tri tunele.

Adem Grabovci, zëvendësministër në MTPT, ka theksuar se për të mirën e projektit nuk është mirë që tash të bëhen publike detajet e ofertave.
“Kjo çështje më shumë i takon Komisionit Ndërministror për autostradën”, ka theksuar Grabovci.

Ndërsa sipas Xhevdet Pozharit, zëdhënës në këtë ministri, fituesi i tenderit do të shpallet në pesëmbëdhjetë ditët e para të muajit janar.
“Ashtu siç ka deklaruar ministri i Transportit, Fatmir Limaj, se fituesi do të shpallet më 15 janar, ashtu edhe planifikohet të bëhet”, ka theksuar Pozhari.

Sipas tij, vonesat për këtë çështje kanë ndodhur për shkak se ashtu kanë kërkuar vetë kompanitë e interesuara për ndërtimin e autostradës Vërmicë – Merdar.

“Kompanitë kanë kërkuar afat prej 30 ditësh që ta shqyrtojnë gjendjen dhe ne iu kemi dhënë kohë. Për këtë shkak ka pasur vonesa”, ka thënë Pozhari.
Po ashtu edhe sipas anëtarit të Komisionit Ndërministror për autostradën, Lutfi Zharku, ministër për Tregti dhe Industri, gjithçka është duke shkuar sipas planifikimeve për sa i përket këtij projekti.

“Kur Ministria e Transportit do ta thërrasë mbledhjen e Komisionit Ndërministror, ne edhe do ta shpallim fituesin. Ashtu siç është paraparë që të kryhet ky proces, ashtu është edhe duke shkuar”, ka theksuar Zharku.

Nga 30 kompani sa kanë konkurruar për shprehjen e interesit, kompania konsulente e kontraktuar nga Ministria e Transporteve pati propozuar që në listën e ngushtë të jenë kompania “Alpina”( Austri), “Bektel-Enka” (amerikano-turke), “Makioll” (Turqi), “Pizaroti” (Itali), “Por” (Austri), “Strabag” (Hungari) dhe “Terna” (Greqi).

Autostrada pritet të përshkojë tetë komuna dhe 66 zona kadastrale, në gjatësi prej 118 kilometrash. Me asfalt do të mbulohen 1062 hektarë tokë.

Fillimisht punimet në autostradë do të nisin nga Komuna e Prizrenit, ku do të shpronësohen 239 hektarë tokë, për të cilat do të paguhen rreth 13 milionë euro.